Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrest me burg për Alda Klosin, ish-drejtoreshën e Ministrisë së Financave.
Burime për gazetaren, Anila Hoxha, bëjnë me dije se kërkesa është dorëzuar dje në drekë në gjykatë.
Seanca për Alda Klosin (Ciko) e cila dyshohet për pastrim parash, deklarim të rremë para policisë dhe fshehje pasurie mund të lihet nesër.
Klosi nuk e ka mbajtur dot presionin dhe ka përfunduar në spital për shkak të problemeve shëndetësore një ditë më parë.
Pak orë pasi ka përfunduar në qeli ish shefja e kabinetit të Arben Ahmetaj ka shfaqur tension të lartë dhe është dërguar me urgjencë në QSUT për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Me gjasa ajo do të qëndrojë edhe në vijim nën monitorimin e bluzave të bardha dhe do t’i bëhet në spital verifikimi I masës së sigurisë.
Arrestimi i Alda Klosit erdhi pas dëshmisë së Sanitares Rozeta Dobi e cila më herët ishte arrestuar me akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove nga shtëpia e zyrtares. Një kontroll i dytë i banesës së Rozeta Dobit dhe të birit Havier Dobi zbuloi dhe 405 mijë euro të tjera të cilat mbetën pa zot.
Thellimi i hetimeve nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit si edhe pyetja për disa orë e sanitares Rozeta dobi zbuloi se gjithçka ka qenë inskenim dhe paratë e gjetura në banesë nuk ishin vjedhur por ish zyrtarja e lartë ia kishte dhënë për t’i fshehur.
Në dëshminë e saj Rozeta Dobi ka thënë se ka parë shumë para të cilat vinin me kuti dhe ishin të fshehura në disa shtëpi të ish-zyrtares Klosi. Dobi implikon dhe persona të tjerë që kishin kontakt me zyrtaren përfshi dhe ish ministrin Arben Ahmetajn me të cilin sipas saj Alda Klosi kishte raport personal.