Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vendosur sanksione ndaj 185 kompanive dhe 3 individëve që sipas tij kanë mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila po hyn në muajin e dymbëdhjetë.
“Kompanitë dhe biznesmenët që garantojnë transportin e personelit ushtarak dhe pajisjeve me hekurudhë në emër të “shtetit sulmues” janë ndër objektivat e sanksioneve”, njoftoi Zelensky.
Ai tha se burimet e sekuestruara do të përdoren për mbrojtjen kombëtare të Ukrainës. Lista përfshin kompani bjelloruse që ndihmojnë transportin e pajisjeve dhe personelit ushtarak rus.
Në shënjestër ishin edhe kompanitë që prodhojnë dhe eksportojnë kimikate, përfshirë plehra.
Sipas Zelenskyt, Kievi po punon për të siguruar që edhe shtetet e tjera të ngrijnë burimet e këtyre kompanive dhe individëve.
Ndër të tjerë ai falënderoi “të gjithë ata që kontribuojnë në forcimin e sanksioneve kundër Rusisë” dhe ata që hetojnë dhe ndjekin penalisht manovrat ruse për të shmangur ndëshkimin.
Gjithashtu, presidenti ukrainas përsëriti kërkesën e tij që Rusia të përjashtohet nga Lojërat Olimpike të Parisit.
Duke iu referuar zhvillimeve në vijën e frontit, Zelenskiy foli për sulmet me raketa ruse në blloqet e apartamenteve në Kostanivka, rajoni Donetsk të shtunën, të cilat vranë tre persona dhe plagosën 14 të tjerë.
Kreu i shtetit ukrainas këmbënguli se ushtria e tij ka nevojë për raketa me rreze më të gjata për të zmbrapsur dhe parandaluar sulme të tilla./albeu.com/