“Rama përdori McGonigal për të goditur opozitën”, Berisha: Edhe tanket e Putinit të vijnë në Tiranë, nuk e mbajnë në pushtet

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thënë në një deklaratë për mediat se kryeministri Edi Rama përdori ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal, për të goditur opozitën.

Ai bëri thirrje për një betejë ndaj Ramës, për të cilin tha se angazhoi kundër çdo interesi agjenturën, mafian ruse për shkatërrimin e pluralizmit në vend.

Berisha shtoi se edhe nëse tanket e Putinit vijnë në Tiranë, ato nuk e mbajnë dot Ramën në pushtet.

“Demokratët duhet të ngrihen dhe do ngrihen në një betejë vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë nga armiku më i egër pas Enver Hoxhës në historinë e vendit. Sot afera Rama-Gonigal është kryeafera e planetit, një dramë e tmerrshme në fushën e sigurisë që zhvillohet sa në SHBA po kaq dhe në Tiranë, që ka për autor Charles Mcgonigal, njeriun kryesor të kundërzbulimit në SHBA, njeriu që njihte e kishte njohuri të jashtëzakonshme për sigurinë dhe ky njeri i ofrohet Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare. Këtë njeri Edi Rama pasi grabiti zgjedhjet e 2017-ës e kontrakton për t’i dhënë opozitës goditjen e mëshirës. Janë momentet më solemne dhe më kritike, më të rëndësishme të jetës sonë politike, e ardhmja e PD-së, demokracisë shqiptare do përcaktohet nga suksesi i betejës kundër kësaj kalbësire të pashoq që angazhoi kundër çdo interesi agjenturën, mafian ruse për shkatërrimin e pluralizmit në vend.

 

 

Ne hyjmë tani në finale, çdo luftë ka betejën finale dhe kjo që do nisim është beteja finale në të cilën ju siguroj se do fitojmë. Dhe njëherë i kërkoj Ramës të largohet menjëherë nga pushteti, se alternativë tjetër nuk ka për ty! Edhe tanket e Putinit po të vijnë në Tiranë nuk të mbajnë në pushtet, largohu menjëherë! Edhe njëherë, ora është e jona, ora është e një beteje të cilën do ta bëjmë me guxim e përkushtim si asnjëherë më parë. Beteja finale ndalet vetëm pas largimit të kalbësirës nga pushteti, me të gjitha mjetet e e mosbindjes civile kjo kalbësirë do shporret nga pushteti, ky ka kryer aktet më makabre, unë jam i bindur se këto mesazhe burojnë nga zemra e çdo demokrati.

Një demon pushteti ka angazhuar nën petkun e FBI-së dhe fuqisë së saj, por në fakt agjenturën ruse për shkatërrimin e forcës kryesore politike opozitare, kam bindjen më të madhe se demokratët do i japin përgjigjen e merituar. Pjesa tjetër e PD-së ka të njëjtin mendim dhe natyrisht forumet e kësaj partie do konsultohen gjerësisht”, tha Berisha.


Shtuar 26.01.2023 19:00