Momenti pikëllues kur djali i vogël palestinez zbulon vrasjen e babait të tij (VIDEO)

Ndërsa luftimet në Gaza vazhdojnë, në rrjetet sociale është publikuar një video kur një djalë i vogël palestinez vrapon me hidhërim drejt trupit të ndjerë të babait të tij. Ai u vra nga sulmet izraelite në Gaza gjatë ditës së sotme.

Izraeli tha se vrau 16 anëtarë të krahut të armatosur Hamas në Gazë gjatë një bombardimi të mërkurën ndërkohë që militantët palestinezë hodhën raketa në Izrael dhe Uashingtoni tha se do të dërgonte një diplomat në përpjekje për të qetësuar gjendjen.

Të paktën 56 njerëz janë vrarë në Gazë që nga shkallëzimi i dhunës të hënën, sipas ministrisë së shëndetësisë të kësaj enklave palestineze. Në Izrael, zyrtarët e spitaleve thanë se janë vrarë gjashtë vetë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se komandanti i brigadës për qytetin e Gazës ishte midis anëtarëve të lartë të grupit militant islamik që ishin vrarë. “Ky është vetëm fillimi. Ne do t’i godasim ata siç nuk e kanë ëndërruar ndonjëherë,” tha ai.

Menjëherë pas njoftimit, një breshëri e re raketash u hodhën kundër qytetit izraelit Ashdod dhe media izraelite tha se ushtria po përgatitej për raketa të tjera në zonën e Tel Avivit.

Hamasi konfirmoi vdekjen e komandantit dhe të “udhëheqësve të tjerë dhe luftëtarëve të shenjtë”, siç i quajti ai në një deklaratë. Udhëheqësi i Hamasit Ismail Haniyeh shtoi: “Përballja me armikun është pa afat”.

Një burim palestinez tha se përpjekjet për armëpushim nga Egjipti, Katari dhe Kombet e Bashkuara nuk kishin arritur asnjë përparim për t’i dhënë fund dhunës që u ndez këtë javë pas tensioneve gjatë muajit të agjërimit musliman të Ramazanit dhe përplasjeve në Jeruzalemin Lindor.

Duke i përshkruar skenat e shkatërrimit si “shqetësuese”, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se do të dërgonte emisarin e lartë, Hady Amr, për të nxitur izraelitët dhe palestinezët të ulin tensionet.

Shefi i Pentagonit Lloyd Austin ripohoi “mbështetjen e hekurt për të drejtën legjitime të Izraelit për të mbrojtur veten”. Ministri izraelit i Mbrojtjes Benny Gantz tha se Izraeli do të vazhdojë të godasë Hamasin për të rivendosur qetësinë afatgjatë, sipas një deklarate mbi telefonatën mes tyre.

Luftimet midis Izraelit dhe Hamasit janë më të ashprat që nga lufta e vitit 2014 në enklavën e qeverisur nga Hamasi, dhe po rritet shqetësimi se situata mund të dalë jashtë kontrollit.

Në Gazë, një ndërtesë banimi shumëkatëshe si dhe një kullë që strehonte Hamasin dhe media të tjera u shembën pas paralajmërimeve të bëra nga Izraeli që banorët të evakuoheshin. Një tjetër objekt u dëmtua gjithashtu rëndë nga sulmet ajrore.

Sulmet e tjera ajrore goditën ato që ushtria izraelite tha se ishin objekte të lëshimit të raketave, zyra të Hamasit dhe shtëpi të udhëheqësve të Hamasit.

“Izraeli është çmendur”, tha një person në një rrugë të Gazës, ku njerëzit vraponin nga shtëpitë ndërsa shpërthimet trondisnin ndërtesat.

Njëzet e katër njerëz u vranë në sulmet ajrore izraelite në Gazë të mërkurën, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës. Dëshmitarët dhe zyrtarët shëndetësorë në Gazë thanë se nga një sulm ajror izraelit u vranë tre persona brenda një makine, duke përfshirë një grua.

Shumë izraelitë gjithashtu kaluan një natë pa gjumë ndërsa raketa të shumta goditnin zemrën e Izraelit.

“Fëmijët i kanë shpëtuar koronavirusit, dhe tani një traumë e re,” tha një grua izraelite në qytetin bregdetar Ashkelon për Channel 11 TV.

Në disa komunitete larg Gazës, izraelitët u panë të nxitonin drejt strehimeve ose të shtriheshin në trotuare.

“I gjithë Izraeli është nën sulm. Është një situatë shumë e frikshme,” tha Margo Aronovic, studente 26-vjeçar në Tel Aviv.

Përgjatë kufirit të Gazës, një ushtar izraelit u vra nga një raketë anti-tank, njoftoi ushtria. Dy njerëz u vranë nga një raketë në Lod, afër Tel Avivit.

Tensionet u përhapën edhe në qytete të përziera arabo-hebraike në Izrael, ku ka pasur demonstrata. Pas djegies së një sinagoge në Lod, policia dërgoi përforcime paraushtarake dhe vendosi orën policore.

Korporata amerikane Chevron tha se kishte mbyllur platformën e gazit natyror Tamar në brigjet e Izraelit me udhëzim të Ministrisë së Energjisë. Izraeli tha se nevojat e tij për energji do të vazhdojnë të plotësohen.

Hamasi tha se kishte hedhur 210 raketa drejt qytetit Beersheba në Izraelin jugor dhe në Tel Aviv brenda natës në përgjigje të goditjeve ndaj një kulle në qytetin e Gazës.

“Nëse ata (Izraeli) duan të përshkallëzojnë gjendjen, rezistenca është gati, nëse duan të ndalen, rezistenca është gati,” tha Haniyeh.

Për Izraelin, shënjestrimi i Tel Avivit, kryeqytetit të tij tregtar, paraqet një sfidë të re në konfrontimin me Hamasin, i konsideruar si një organizatë terroriste nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.

Dhuna vjen pas disa javë tensionesh gjatë Ramazanit, me përplasje midis policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë pranë Xhamisë Al-Aksa në Jeruzalemin Lindor.

Konflikti ka çuar në ngrirjen e bisedimeve nga ana e rivalëve të Netanyahut për formimin e një koalicioni qeverisës, me synimin për ta hequr atë. Zgjedhjet u zhvilluan më 23 mars, por rezultati i tyre ishte i paqartë.

Dhuna është ndezur gjithashtu në Bregun Perëndimor të pushtuar. Burimet mjekësore thanë se një palestinez 16-vjeçar u vra në përleshjet me forcat izraelite të mërkurën. /panorama

 


Shtuar 12.05.2021 21:25