Fqinjët e Gert Shehut kanë treguar detaje mbi sjelljen e 31-vjeçarit që qëlloi me grusht kryedemokratin Sali Berisha një ditë më parë. Në një prononcim për Repport TV, ata shprehen se Shehu konsumonte lëndë të ndryshme narkotike. Një prej tyre thotë se i riu ishte edhe praktikant i besimit islam dhe se gjithmonë i përshëndeste me shprehje fetare.
Pjesë nga prononcimet:
Fqinji 1: Nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor. Pinte drogë, hashash po si duket pinte edhe nga ato të tjerat. Po me shumë mundësi konsumonte edhe shumë të tjera. Punonte në disa piceri. Ishte besimtar, sa herë kalonte na përshëndeste me fjalë të besimit islam. Nuk ka qenë person problematik në lagje.
Fqinji 2: Më kishte thënë që është i sëmurë ai djali. Këta njerëz ngarkohen vetë, karikohen nga këto llafet. Ndac të djathtët e të majtët kanë gjuhë sherri në parlament dhe këta njerëz ngarkohen psikologjikisht. Është si puna e tifozëve. Një herë e kam parë atë djalin, ka qenë i sëmurë. Mbesa ime më ka thënë që është nga Tepelena, ka familje shumë të mirë. Ai ka vepruar gabimisht”-tha një tjetër prej fqinjëve.
Çfarë ndodhi dje?
Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.