“Skizofren, idiot”, ofendoi Ballën, Vasili përjashtohet për 5 ditë nga Kuvendi

Pas shqyrtimit të kërkesës së 7 deputetëve socialistë, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën ka vendosur përjashtimin për 5 ditë nga Kuvendi të deputetit të Partisë së Lirisë Petrit Vasili.

Kërkesa u firmos nga 7 deputetët e PS-së, Etjen Xhafaj, Antoneta Dhima, Petro Koçi, Gerta Bardeli, Ilir Metaj, Jurgis Çyrbja dhe Milva Ikonomi. Gjatë seancës së sotme plenare Vasili iu drejtua Ballës me fjalët “skizofren” , “idiot”. Kjo ka bërë që një grup deputetësh të kërkojnë përjashtimin e tij nga Kuvendi.
Njoftimi i Sekretariatit:

Në drejtimin e znj. Klotilda Bushka, ditën e sotme u mblodh Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për shqyrtimin e kërkesës së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, marrë shkas nga sjellja joparlamentare e deputetit z. Petrit Vasili, ku gjatë leximit dhe interpretimit jo të saktë të Rregullores së Kuvendit dhe në kundërshtim me procedurat, ju drejtua me fjalë fyese Kryetarit te Grupit të PS, z. Balla, në fillim të punimeve te seancës plenare, datë 24.11.2022.

Në zbatim të nenit 63 pika ç dhe nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, Sekretariati vendosi me 3 vota Pro, marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 5 (pesë) ditë” për deputetin z. Petrit Vasili.

Ky vendim hyn në fuqi në datën 25.11.2022./albeu.com


Shtuar 24.11.2022 17:44