Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet për hapjen e tunelit të Llogarasë që do të shkurtojë ndjeshëm daljen në bregdetin e jugut. I shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe deputeti Blendi Klosi, kreu i qeverisë u informua se deri mëngjesin e së premtes janë hapur 4 kilometra e 650 metra.
Ministrja Balluku theksoi se sipas parashikimeve që janë bërë, pritet që tuneli të hapet përfundimisht në fund të muajit Shkurt, dhe më pas të kryhen pjesët e tjera të punimeve.
“Pavarësisht se kontrata është 33 muaj dhe kemi filluar në Nëntor të vitit të kaluar kur kemi nisur edhe inaugurimin e punimeve parashikohet që të mbarojë para afatit. Sipas të gjitha parashikimeve dhe ecurisë që kemi bërë deri tani, duam që në fund të Shkurtit të shikojmë dritë. Pra tuneli të hapet përfundimisht të 6 kilometrat dhe pastaj të fillojë gjithë pjesa e përfundimeve përsa i përket ndërhyrjeve elektromekanike pasi siç e shikoni, armatimi bëhet ndërkohë që grupet e tjera vazhdojnë dhe hapin nga krahu i Dukatit, këtu punohet për të mbyllur gjithë pjesën e veshjes”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës.
Sikurse parashikohet në manualin europian të parametrave teknikë, tuneli kryesor shoqërohet paralelisht me një tunel tjetër që shërben si emergjencë.
Por ministrja Balluku theksoi se nëse fluksi i turistëve drejt jugut do të jetë më i madh, atëherë është parashikuar që edhe tuneli i emergjencës të vihet në përdorim për qarkullim të automjeteve kur të jetë e nevojshme.
“Ndodhemi në tunelin kryesor i cili do të jetë ai ku do të bëhet dhe kalimi i automjeteve. Ndërkohë, tunelet e emergjencës dhe sipas të gjitha parametrave teknike europiane, çdo tunel që është më i madh se 500 metra ka nevojë për tunelin shoqërues të emergjencës. Por duhet thënë që tuneli i emergjencës po punohet me të tilla kushte që në rast se do të kemi rritje të trafikut të volumeve të kemi mundësi që ai tunel të kthehet në një tunel tjetër kryesor për të ndarë trafikun, pra në 2 tunele kaluese. Sipas të gjithë studimit të fizibilitetit që është bërë edhe këtu me garë ndërkombëtare, të gjithë e mbajnë mend që kemi nisur projektin 1 vit përpara, kemi bërë garën ndërkombëtare, më pas një komopani austriake ka bërë gjithë projektin e detajuar, pra ne kemi një parashikim të trafikut i cili mjafton me këtë tunel, por në të ardhmen duke pasur parasysh gjithë zhvillimin që po merr jugu, edhe të gjitha njësitë e hotelerisë që po ndërtohen, në një të ardhme do të kemi mundësi që të përdorim atë tunel që është ngritur si tunel emergjence që të kthehet në tubin e dytë për kalimin e automjeteve”, deklaroi ministrja Balluku.
Deri në hapjen përfundimtare të tunelit të Llogarasë kanë mbetur edhe 1.2 kilometra. Tuneli i Llogarasë do të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit për të mbaruar në urën e Palasës./klan