Di Maria shpreh dëshirën e tij: Dua që PSG-ja të jetë klubi im i fundit në Europë

Ashtu si të gjithë futbollistët edhe Di Maria ka zbuluar se do ti pëlqente që para se ti jepte fund karrierës si futbollist të kthehej në Argjentinë aty ku ka hedh hapat e para.

Para se të kthehet në vendin e tij të lindjes, mesfushori ka shprehur dëshirën që PSG-ja të jetë klubi i tij i fundit në Europë.

Argjentinasi Angel di Maria e kompletoi transferimin e tij nga Manchester Unitedi në PSG për 63 milionë euro në vitin 2015, pas një sezoni zhgënjyes në Old Trafford, ku reputacioni i tij e pësoi një goditje të konsiderueshme, transmeton Gazeta Express.

Di Maria ishte konsideruar njëri ndër sulmuesit anësor më të mirë në Evropë gjatë kohës së tij në Real Madrid, mirëpo ai dështoi në tentimin për ta vazhduar atë formë të mirë edhe në Old Trafford dhe Premierligë.

Për shkak se transferimi në Manchester United nuk i rezultoi ashtu siç kishte shpresuar, Di Maria u largua menjëherë dhe u transferua në PSG, ku ka qenë duke e rizbuluar formën e tij më të mirë, duke i ndihmuar PSG-së t’i fitojë 12 trofe në pesë vjetët e fundit, përfshirë këtu tre tituj të Ligue 1.

Ish-ylli i Real Madridit e kishte filluar karrierën e tij si profesionist në Rosario Central në Argjentinë dhe ai do të dëshironte të kthehej në vendlindje në një pikë, para se të pensionohet. Mirëpo, për momentin s’është duke u shqetësuar për të ardhmen e tij.

“Për momentin, nuk jemi duke negociuar për rinovim të kontratës. I kam edhe 18 muaj në kontratën time. Jam duke qëndruar i qetë”, ka thënë Di Maria.

“Unë e kam thënë këtë gjë që nga dita e parë. Shpresoj që PSG-ja të jetë klubi im i fundit në Evropë dhe pastaj do të kthehem për të luajtur në Argjentinë”. /


Shtuar 25.01.2020 15:23