Konsumatori shqiptar vazhdon të mashtrohet çdo ditë nga tregtarët, të cilët shesin djathë. Shumë herë kemi dëgjuar se djathi i lopës, i dhisë apo i deles është i përgatitur me niseshte. Por, sa e vërtetë është kjo?
Për ta mësuar këtë, mjafton të bëjmë një eksperiment shumë të thjeshtë. Në disa dyqane të kryeqytetit kemi marrë djathëra të ndryshëm, me çmime gjithashtu të ndryshëm.
Mjafton që mbi djathë të hedhim betadinë, apo jod, e nëse djathi fillon të nxihet, atëherë ai është i përgatitur me niseshte, por nëse djathi merr ngjyrën e mjaltit, atëherë ai është cilësor.
Si rregull, prodhuesi dhe tregtari i djathit duhet të deklarojnë origjinën dhe elementet përbërës të produktit ushqimor. Por një gjë e tillë nuk respektohet. Kështu, konsumatori asnjëherë nuk e di se çfarë ka në tryezë.
“Problemi qëndron se të gjithë prodhuesit, të gjithë shitësit duhet që të vënë etiketa ‘ky djathë është me niseshte’, apo ‘ka kaq për qind niseshte’. Pastaj secili mund ta blejë ose jo, është e drejta e tij. Këtë problem e dinë të gjithë. E di AKU-ja, e di Ministria e Bujqësisë, e di qeveria dhe pushteti vendor. E keqja është se asnjë nga këta nuk ndërhyn, për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë problem, siç bëhet në botën perëndimore”, thotë Kristaq Bërxholli, profesor në UBT.
Prodhuesit e djathit, duke zëvendësuar qumështin me niseshte, ulin koston dhe rrisin fitimin. Por, kush është institucioni që duhet të merret me këta mashtrues? Sigurisht që është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Mashtruesit i gjen fare lehtë, në rrugë, market, apo baxho./ tch