Ndërrimi i orës ndodhi këtë të diel në orën 02:00 të natës, kështu qëndruam një orë më shumë në shtrat. Që prej ditës së sotme, do ndodhin ndryshime, që do të thotë se do fillojë të errësohet më shpejt. Gjithashtu moti do fillojë të pësojë ndryshime, duke nisur me ulje temperaturash dhe reshje shiu. Por ajo që është e rëndësishme për ekspertët është ndryshimi që ndodh me trupin tonë. Disa njerëz gëzohen me idenë e orës shtesë të gjumit, por shumë të tjerë besojnë se ndryshimi i orës nuk duhet të ndodhë më.
Të dhënat sipas ekspertëve tregojnë një rritje të vogël, por të konsiderueshme të incidenteve në punë sidomos gjatë ditës së Hënë. Pra, kujdes nesër! Eksperti Neil Stanley thotë se më të prekurit janë ata që kanë një jetë të mbushur me punë dhe janë gjithë kohën në lëvizje.
Ja çfarë thotë ai: “Dëshmitë dhe studimet tona tregojnë se shumë njerëz vuajnë nga ajo që quhet ‘social jet lag’, që do të thotë se njerëzit nuk flenë mjaftueshëm gjatë javës, ndërsa me ndryshimin e orës, në fundjavë mundohen të rikuperojnë mungesën, plus një orë më shumë gjumë.”
Sipas tij duhen tri ditë që trupi të përshtatet me ndryshimin.
Çdo qelize të trupit i duhet gjithashtu të kthehet një orë para. Duke filluar nga qelizat, tek organet si mëlçia e deri tek funksionet e zemrës, duhet të përshtaten me ndryshimin dhe kjo gjë nuk ndodh aq shpejt, por brenda afatit që përmendet me lart, tri ditë. Sipas Stanley ne jemi të pavetëdijshëm për këto ndryshime, por efektet të gjitha i ndjejmë.