Kukësi rigjen fitoren, largon Vllazninë nga titulli (VIDEO)

Në “Elbasan Arena” dënohet Vllaznia e Thomas Brdariç që pothuajse del nga lufta për titull edhe pse janë ende 4 ndeshje të tjera për t’u luajtur.

Kukësi që ishte në një krizë të thellë arrin të ringrihet dhe të mposhtë shkodranët me rezultatin 3-1, një sukses që ekipit të Josës i bën punë për të larguar çdo frikë për mbijetesën.

Ndeshja nisi me shumë vrull për Vllazninë ndërsa Kukësi përfitoi në të 5’ me një gol të Eze i cili goditi shtyllën fillimisht me kokë e më pas e dërgoi në rrjetë. Për ekipin e Brdariç ishte një goditje e fortë dhe u pa edhe në reagim teksa për Kukësin erdhi edhe goli i dytë pas një penalltie të fituar nga Eze. Taipi nuk gaboi nga pika e bardhë dhe pjesa e parë u mbyll 2-0 edhe pse me lojë e raste miqtë ishin më kërkues.

Menjëherë në fraksionin e dytë Vllaznia rihap ndeshjen me një penallti të fituar nga Avdiaj dhe të ekzekutuar nga Ardit Hoxhaj në 51’.

Skuadra e Brdariç rrit presionin pas golit dhe krijon disa raste me Cisse dhe Avdiaj teksa në 76’ kërkoi një tjetër penallti pas rrëzimit të Hoxhaj në një duel me portierin Xhika.

Kur i gjithë ekipi shkodran ishte hedhur në sulm në kërkim të barazimit, Kukësi përfiton në minutën e 92’ për të shënuar golin e nokautit, me Gavazaj.

Kjo humbje ridimensionon Vllazninë që tani i duhet një mrekulli që të shpresojë te titulli ndërsa Kukësi mbyll historinë e mbijetesës që ishte kthyer si një makth.


Shtuar 7.05.2021 20:05