“Më ka mbyllur biznesin për hakmarrje” Rama i përgjigjet Shehajt: E kishe në ndërtesë pa leje!

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i PD-së, Agron Shehaj tha se policia i ka mbyllur biznesin e tij dhe se kjo është hakmarrje e kryeministrit Edi Rama.

Jam menduar gjatë, nëse duhet të përdorja këtë sallë për të denoncuar një akt të pashembullt, në një shtet demokratik dhe kandidat për anëtarsim në Bashkimin Evropian, përdorimin e shtetit dhe policisë për të sulmuar një kundërshtar politik. Por vendosa se po, sepse është pikërisht kjo sallë shkaku i sulmit. Gjithçka ka nisur nga këtu, nga denoncimet që unë kam bërë nga kjo foltore, për aferat e kësaj qeverie dhe ministrave të saj. Këto foto tregojnë Policinë e Shtetit brenda ambienteve të biznesit tim. Pa asnjë urdhër nga Prokuroria, pa asnjë urdhër nga gjykata, pa asnjë urdhër dhe shkresë nga askush. Forcat e policisë kanë hyjnë brenda një ambienti privat dhe kanë nxjerrë jashtë punonjësit, duke i terrorizuar dhe pa asnjë mandat ligjor. Ky është shteti policor i Edi Ramës që nëpërmjet dhunës dhe përdorimit politik të policisë, do të intimidojë dhe t’i mbyllë gojën deputetëve të Opozitës dhe kujdo që tenton të ngrejë zërin”, tha Shehaj.

Tashmë, pas akuzave ka marrë përgjigje nga Rama, i cili ironizon duke thënë se Shehaj që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje.

Ai gjithashtu shtoi se ndërtesa ku ndodhej biznesi i Shehajt është Ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit.

“Deputeti Agron Shehaj paska marrë zjarr nga sulmi policor i orkestruar politikisht mbi biznesin i tij, që ia paska mbyllur policia e regjimit për t’i mbyllur gojën zotit Agron! Pyes dhe ç’të dëgjoj?! Zoti Deputet që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje!

Ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit. Deputeti me biznesin e tij janë gjetur brenda ndërkohë që pronari pretendonte se e kishte hotel!

Duket e pamundur që një deputet të bëjë biznes në një ndërtesë të paligjshme dhe t’i turret Policisë nga mikrofoni i parlamentit, duke marrë pozën e një viktime të regjimit për fjalën e tij lirë, por kur merr vesh që ky tip është një ballist foltoreje atëherë shpjegohet gjithçka!”, thotë Rama në reagim./albeu.com


Shtuar 20.10.2022 20:04