Bundesliga i kthen finalet e Ligës së Kampionëve në “pronë private”

“Fussball” dominon në Europë. “Gegenpressing”, (presioni pas humbjes) tranzicioni i shpejtë “made in” Red Bull ka “krijuar shkollën”. Në Gjermani topi nuk vrapon, por fluturon. Skuadrat pëlqejnë të kenë topin, por gjithmonë luajnë përpara dhe krijojnë rrezik. “Unë mendoj që, nëse shohin një zotërim të gjatë dhe të mërzitshëm të topit, pa produkt, tifozët do të fishkëllenin”, – pranoi Omar Mascarell në MARCA, një vit më parë.

Bota po zbulon një “fussball” të ri
Fakti është që “modeli Bundesliga” po sundon në Ligën e Kampionëve. Dhe jo vetëm sepse Bayerni është ende kampioni në fuqi i Europës. Ekziston një fakt ndriçues, që gazetari Marc Mayola ishte përgjegjës për ta kujtuar: gjashtë nga tetë finalistët e fundit kanë ose kanë pasur trajnerë gjermanë, ose që kanë kaluar përmes Bundesligës. Në fakt, dy kampionët e fundit (Hansi Flick / Bayern 2020 dhe Jürgen Klopp / Liverpool 2019) i plotësojnë të dyja kërkesat.

Gjashtë nga tetë finalistët e fundit kanë pasur trajnerë të Bundesligës:
2020-2021: Manchester City (GUARDIOLA) – Chelsea (TUCHEL)
2019-2020: PSG (TUCHEL) – Bayern (FLICK) 0-1
2018-2019: Tottenham (Pochettino) – Liverpool (KLOPP) 0-2
2017-2018: Real Madrid (Zidane) – Liverpool (KLOPP) 3-1

Historia e këtij sezoni do të përsëritet. Pep Guardiola (Manchester City) trajnoi Bayernin midis viteve 2013 dhe 2016. Ai do të përballet me Thomas Tuchel. Ish-trajneri i Mainz dhe Borussia Dortmund, i cili humbi finalen e sezonit të kaluar, do të bëhet trajneri i parë që arrin dy finale radhazi të Ligës së Kampionëve, me dy skuadra të ndryshme. Pra, ka hyrë tashmë në histori.

Vargu i trajnerëve të “Bundesligës” zgjat edhe një sezon tjetër. Jürgen Klopp tashmë arriti në finalen e Ligës së Kampionëve në 2017-2018, por më pas Liverpooli i tij u mposht 3-1 nga Real Madridi në Kiev.

Ekziston një informacion tjetër, sikur të mos mjaftonte kaq, që përshkruan dominimin e “shkollës gjermane” në Europë. Sezonin e kaluar ishin tre trajnerë gjermanë në gjysmëfinale. Thomas Tuchel (atëherë te PSG), Hansi Flick (Bayern) dhe Julian Nagelsmann (RB Leipzig). Tuchel, i cili ishte trajneri i tij në filialin e Augsburgut, eliminoi trajnerin e ardhshëm të Bayernit.


Shtuar 6.05.2021 19:24