Pasditën e sotme në Tiranë u tentua vrasja e Preng Gjinit, i cili është plagosur rëndë nga një shpërthim tritoli, i vendosur në makinën e tij.
Preng Gjini është vëllai i Armando Gjinit, të ekzekutuar më 13 gusht të vitit 2019 në Rrëshen, në sy të fëmijëve të tij.
Armando (Toni) Gjini njihej si ushtar i Met Kananit dhe vrasja e tij u dyshua për prishje të pazarëve të drogës.
Atentati ndaj Preng Gjinit, të ndodhur pasditen e sotme në Vasil Shanto, dyshohet të jetë kryer me tritol të komanduar nga celular, ndërkohë i lënduari gjendet në gjendje kritike për jetën.
Vrasja e vëllait, një vit më parë në Rreshen:
Më 13 gusht të vitit 2019 u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve, Armando Gjini, i njohur edhe me emrin Tonin Gjini. Shkak për këtë ngjarje, sipas Policisë dyshohej e kaluara e tij në Belgjikë. Gjini u qëllua disa herë me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. 48- vjeçari dyshohet që të jetë vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Hetuesit, nga ana tjetër, nuk përjashtojnë pistën e gjakmarrjes, pasi familja e tij është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm shumë vite më parë. Por, nisur nga mënyra e ekzekutimit, e cila i ngjan stilit mafioz, hetuesit thonë se ka pak gjasa që të bëhet fjalë për hakmarrje. Në konsideratë është marrë dhe një pistë e tretë, që ka të bëjë me dyshimet e vrasjes për shkak të borxheve.
Hetuesit pritet që në ditët e ardhshme të marrin në pyetje familjarë të viktimës, për të mësuar më shumë mbi shkaqet që çuan në vrasjen e Armando Gjinit. 48- vjeçari njihej si pjesë e grupit të Met Kananit. Vrasja e tij dyshohet se është bërë nga njerëz me pagesë.
Viktima, i njohur ndryshe si Tonin Gjini, ishte person i njohur në qytetin e Rrëshenit, kjo edhe për shkak të arrestimit të tij në vitin 2018 dhe vendosjes së eksplozivit në makinë pak kohë para vrasjes. Konflikti midis dy familjeve nisi në vitin 2016 për shkak të një ngarkese droge nga Turqia.