Vrau 44-vjeçarin në Vaun e Dejës, identifikohet autori i dyshuar (EMRI)

Martin Përgjini është shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohet si autori i vrasjes së ndodhur një ditë më parë në Vaun e Dejës.

Përgjini akuzohet se është personi i cili plagosi për vdekje ditën e djeshme, Pjetër Kolën.

44-vjeçari, u dërgua nga dy persona, në orën 18:00 në një spital në fshatin Ungrej të Lezhës për ndihmë mjekësore pasi ishte plagosur me armë zjarri. Më pas, ai është transportuar drejt spitalit të Shkodrës për ndihmë të specializuar mjekësore por nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve. Raportohet se Kola kishte marrë një plumb në bark dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale, por nuk ia doli të mbijetonte.

Policia ka ngritur grupi hetimor për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe kapjen e autorit.

Njoftime policie

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i plagosjes së rëndë me pasojë vdekjen e 44-vjeçarit nga Lezha.

Shërbimet e Policisë dhe grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Pukë, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi P. K., 44 vjeç, nga Lezha, i cili më pas ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, kanë vijuar intensivisht punën për grumbullimin e provave, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit M. GJ. alias A. Gj., 36 vjeç, banues në Lezhë.

Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në fshatin Kaftallë, Pukë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e personit të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.