Është mbajtur këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme të Apelit seanca gjyqësore në ngarkim të ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.
Mësohet se gjatë seancës pala mbrojtëse ka kërkuar pafajësinë e gjyqtares Hoxha duke argumentuar se vendimi është dhënë nën trysni politike por dhe mediatike.
Të lidhura
None found
Vetë gjyqtarja në fjalën përpara trupit gjykues krahas kërkimit të pafajësisë ka kërkuar dhe kthimin e parave të sekuestruara. Kërkesat janë kundërshtuar nga Prokuroria me arsyetimin se heqja e sekuestros nuk është kërkuar në ankimimin e çështjes. Pasi ka bërë dëgjesën e dy të palëve trupi gjykues pritet të shpallë vendimin më 11 tetor.
Enkelejda Hoxha u shkarkua nga detyra e gjyqtares më 17 mars dhe u la në burg nga Gjykata e Apelit, edhe pse disa herë kërkoi lirinë me pretendimin se kishte dy fëmijë të mitur për të cilët duhet të kujdesej. Ajo u arrestua nga SPAK më 11 shkurtit 2021 pas një superoperacioni të bërë në Gjykatën e Krujës, teksa ajo do të lironte të dënuarin për vrasje, Saimir Petani. Hoxha prej kohësh ishte kthyer në “fenomen” në drejtësinë shqiptare, duke u njohur si gjyqtarja “dorëlëshuar” që lironte persona të rrezikshëm në këmbim të parave. Përveç saj në pranga ra edhe avokati i saj Tabaku, i cili luante rolin e sekserit mes gjyqtares dhe avokatëve të palës tjetër.
