Sot nis viti i ri shkollor parauniversitar. Këtë vit shkollor pritet të nisin klasën e parë vetëm 29 mijë fëmijë. Sipas të dhënave, numri i nxënësve që nisin klasën e parë është rreth 4% më i ulët se një vit më parë.
Ekspertët e arsimit pohuan se ky numër do të ishte edhe më i ulët nëse Ministria e Arsimit nuk do të kishte ulur kriteret e moshës së pranimit në klasën e parë.
Kujtojmë se ditën e djeshme, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka uruar me anë të një videomesazhi nxënësit dhe mësuesit.
“Me lajmin që ky vit i ri shkollor vjen me shumë risi për të gjithë nxënësit dhe mësuesit, ju uroj një vit të mbarë e të suksesshëm!”- shkruan ministrja në statusin e publikuar së bashku me videomesazhin e saj.
Ministrja Kushi nënvizoi se ky vit shkollor vjen me shumë projekte dhe nisma për një arsim cilësor të barabartë dhe gjithëpërfshirës.
Gjithashtu u përmend edhe përfshirja e lëndës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në klasat e para, abetarja e re, si dhe hapja e shkollës së mesme për nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk dëgjojnë./albeu.com