Teksa lufta në Ukrainë po vijon që prej 24 shkurtit të këtij viti, duket se forcat ukrainase po përparojnë në kundërofensivën e tyre për rimarrjen e Khersonit.
Ka qenë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili tha se forcat ukrainase po bëjnë përparim për “çlirimin e të gjitha tokave tona, të gjithë popullit tonë” pas fillimit të kundërofensive kundër rusëve në jug, sipas The Guardian.
“Forcat e Armatosura të Ukrainës, inteligjenca jonë, shërbimet speciale tashmë po ndërmarrin hapat e nevojshëm për këtë”, tha Zelensky në një fjalim të postuar në Facebook.
“Këto hapa mund të shihen. Dhe të gjithë mund të shohin se pushtuesit tashmë kanë filluar të largohen nga Krimeja. Kjo është zgjedhja e duhur për të gjithë ata.”
Ai falënderoi gjithashtu “luftëtarët e batalionit të 63-të të brigadës, të cilët çliruan një vendbanim në rajonin e Donetskut. “Brigada e 54-të në drejtimin Lysychansk-Siversk kanë shënuar suksese ndërsa “batalioni i 42-të, falë veprimeve të tij heroike, çliruan dy vendbanime në jug të vendit tonë”.
Kyrylo Tymoshenko, nënkryetari i zyrës së presidentit, postoi një imazh të ushtarëve duke ngritur flamurin ukrainas mbi një fshat që ai tha se ishte në jug të Ukrainës.