Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, në një deklaratë për mediat u shpreh se janë në fazën e fundit të evidentimit dhe të përgatitjes së raporteve përkatëse, sa i përket akuzave për krime zgjedhore.
Pas takimit me shefen e misionit të OSBE-ODIHR, Ursula Gacek, ku i pranishëm ishte edhe Lulzim Basha, Kaso nënvizoi para gazetarëve se në zona të caktuara janë bërë shkelje.
“Periudha e ankimimit po afron për të gjitha subjektet zgjedhore. Jemi duke punuar dhe jemi në fazën e fundit të evidentimit dhe të përgatitjes së raporteve përkatëse, se çfarë impakti mund të kenë në rezultatet e zonave të caktuara. Në zona të caktuara janë bërë shkelje që e bëjnë diferencën midis palëve”, u shpreh ai.
Zoti Kaso theksoi se zonat më problematike kanë qenë ato ku është përqendruar fuqia e makinerisë shtetërore. “Zonat që ka pasur probleme të theksuar të kriminalitetit si Elbasani, Shijaku, kanë qenë zonat problematike”, pohoi ai.
Sipas Kasos një numër i caktuar kutish do të rinumërohen dhe do të rivlerësohen në kuadër të procesit ankimor. “Në periudhën parazgjedhore kemi depozituar rreth 180 kallëzime penale në prokuroritë e zakonshme dhe mbi 40 kallëzime penale në SPAK”, përfundoi ai.