Pa Champions, Donnarumma i jep lamtumirën Milanit

Ka tension te Milani që nuk po kalon aspak një periudhë të mire. Kuqezinjtë kanë rënë në vendin e pestë në renditje dhe janë jashtë objektivit të madh, kualifikimit në Champions League.

Duket se pasojat për klubin dhe skuadrën do të jenë të mëdha nëse nuk arrihet të paktën vendi i katërt teksa asnjë prej lojtarëve të rëndësishëm nuk do të qëndrojë te Milani, duke përfshirë Gianluigi Donnarumman.

Portieri italian është në fundin e kontratës, më 30 Qershor është i lire, dhe bisedimet për rinovimin janë shumë të ndërlikuara dhe moskualifikimi në Champions do ta bënte pothuajse të pamundur firmën me gardianin 22-vjeçar. Me një agjent si Raiola që nuk lëviz nga kërkesa prej 10 mln euro në vit pagë për klientin e tij, Milani nuk mund ta plotësojë nëse nuk shkon në Champions League(e vetmja mënyrë për të rritur të ardhurat) ndaj dhe gjasat janë që kuqezinjtë ta humbasin falas një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më me potencial në skuadër.

Është Juventusi që përmes Raiolas po qëndron në heshtje dhe shikon zhvillimet dhe nuk do ta kishte problem që të ofronte 10 mln euro për një portier si Donnarumma.


Shtuar 30.04.2021 21:02