Punimet në rrugën e “Durrësit”, si do devijojë lëvizja e urbanëve në vazhdim

Vijonë punimet në rrugën e Durrësit në kryeqytet, teksa si pasojë ka ndryshuar dhe linja e qarkullimit ë urbanëve.

Nga dita e Hënë, do të ketë kufizim të qarkullimit në segmentin e rrugës së “Durrësit”, nga kryqëzimi me rrugën “Mine Peza” deri te sheshi “Skënderbej”, si dhe pjesërisht në Unazën e Vogël të qytetit, rruga “Ded Gjo Luli”.

Për këtë periudhë, qarkullimi i automjeteve do të bëhet:

a) për Unazën e Vogël, lidhja e rrugës së Durrësit me sheshin “Skënderbej”, punimet do të kryhen vetëm natën, jo me bllokim të plotë të Unazës, në mënyrë që qarkullimi i automjeteve të jetë i lirë në Unazën e Vogël, rruga “Ded Gjo Luli”.

b) rruga “Durrësit” dhe rruga “Mine Peza”, segmenti i saj nga rruga “Fortuzi” deri te lidhja me “Unazën e Vogël”, do jenë plotësisht të bllokuara dhe me ndalim qarkullimi për një periudhe disa ditore.

Linjat e transportit publik që qarkullojnë në rrugën e “Durrësit” dhe rrugën “Mine Peza” aktualisht do të devijohen për në rrugën “Asim Vokshi”, me vijim në bulevardin “Zog I”, si dhe drejtimi i tyre qendër për në rrugën “Dritan Hoxha” do të devijohen në rrugën e “Barrikadave”, me vijim në rrugën “Asim Vokshi”.

Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit, do të jetë i mundur gjatë gjithë fazës ndërtimore, sqaron bashkia.


Shtuar 15.08.2020 12:37