Krizat si katalizatorë të fushatave dezinformuese, rasti i lajmeve mbi shqiptarët

Nga Emirjon Senja

Krahas problemeve me energjinë dhe rritjen e përgjithshme të çmimeve pas luftës në Ukrainë, Europës tashmë i është dashur të përballet edhe më shumë me një rrezik tjetër: Fushtatat dezinformuese, përmes të cilave tentohet krijimi i realiteteve të reja me qëllim hapjen e disa fronteve për Perëndimin.

Po ashtu, gjatë muajve të fundit shtete të Europës jug-lindore janë përballur me tensione të mëdha ndëretnike dhe politike duke bërë që të rrezikohen maxhoranca, madje edhe të bien qeveri.

Kështu për shembull, ndërkohë që retorika e luftës dhe ndarjes është gjithnjë prezente në Bosnje Hercegovinë, qeverisë në Maqedoninë e Veriut iu desh të përballej me protesta të mëdha, ku një numër i madh prej atyre që dolën në shtet e shfrynë frustrimin te bizneset e shqiptarëve, ndërkohë që qeveria e Dritan Abazoviçit e ka humbur tashmë maxhorancën në Kuvend pas marrëveshjes me Kishën Serbe.

Për shkak të së shkuarës dhe ngacmimeve të vazhdueshme nga fuqi jo miqësore, Europa Juglindore mbetet një terren fertil për fushatat dezinformuese që kanë qëllim shkaktimin e pakënaqësive, kaosit, fajësimin e një grupi të caktuar etnik, të cilat si përfundim kanë destabilitetin politik të rajonit.

Për të dhënë disa shembuj të dezinformimit në rajon dhe Shqipëri dhe efektet e pritshme të fushatave të tilla nga ata që i orkestrojnë, fillimisht na duhet të shpjegojmë se çfarë është ai.

Ka mjaft përkuzime të dezinformimit, por ai që mund ta përmbledhë tërësisht është “ një informacion i rremë, i prezantuar si i vërtetë dhe bazuar në fakte, me qëllim manipulimin dhe shkaktimin e dëmeve ndaj objektit të tij. Shembull: Teoritë e konspiracionit[1]”.

Nisur nga natyra se si përcillen lajme të tilla, të cilat në fakt janë të rreme, ato janë mjaft tërheqëse për audiencat pasi janë të “paketuara” mirë, me një mori faktesh të pretenduara që bazohen dhe mbi të gjitha, narrativa është shumë e thjesht.

Audienca e percepton menjëherë si informacion të vërtetë, nisur edhe nga faktorë që na rrethojnë. Informacioni dezinformues ofron një ndjenjë të rreme sigurie për saktësinë e tij bazuar mbi parimin e quajtur “e vërteta iluzore[2]”.

Zakonisht audienca është e prirur të besojë si të vërtetë një informacion, me të cilin është i familjarizuar dhe është përballur shpesh me të edhe pse mund të jetë i rremë. Çelësi i gjithë kësaj është te përsëritshmëria e informacionit të rremë, i cili rrit edhe më tepër nivelin e besueshmerisë te audiencat[3].

Madje, në vitin 2015 studiuesit zbuluan se familjariteti ndaj informacionit mund ta mposhtë racionalitetin[4].

Situata bëhet edhe më sfiduese kur fushtatat e dezinformimit gërshëtohen me keqpërdorimin e boshllëqeve të algoritmave të motorëve të kërkimit si edhe asaj që neve na rrethon.

Krahas “bombardimit” me informacion të rremë, individët janë të prirur të besojnë si të vërtetë një informacion që përputhet me formimin e tij, atë që beson dhe mendimin e rrethit shoqëror që ka. Kjo quhet “paragjykimi konjitiv”, ku çdokush prej nesh për shembull ka prirjen të besojë si të vërtetë një informacion të shpërndarë nga një miku ynë në Facebook se sa një media prestigjioze, edhe pse informacioni i mikut tonë mund të jetë i rremë.

E nëse i shpëtojmë edhe këtij “laku”, në përditshmërinë tonë hasemi me një problematikë tjetër, tepër edhe më të madhe: Algoritmet e motorëve të kërkimit dhe rrjeteve sociale.

Nëse më herët, ishin redaktorët ata që bënin gati informacionin e publikuar në një gazetë, revistë apo transmetuar në një edicion lajmesh, tani me zgjerimin e përdorimit të internetit dhe rrjeteve sociale janë algoritmat ato që të zgjedhin se çfarë duhet të lexojmë ne.

Kreu i Qendrës për Gazetari Cilësore, Andrew Dodd shprehet se ndryshe nga sa mendojmë, është media ajo që na gjen neve dhe jo e kundërta siç ka qenë më parë.

Dodd madje shprehet tepër i shqetësuar për mënyrën se si funksionojnë algoritmet në motorët e kërkimit dhe në rrjetet sociale, pasi ato të bëjnë të besosh që je duke lexuar informacione të ndryshme, rutinë, duke të krijuar një peizazh të rremë të zhvillimeve përreth. Në fakt sipas tij, ajo që audienca lexon sidomos përmes rrjeteve sociale është përmbajtje e zgjedhur me kujdes nga algoritmet sipas preferencave përdoruesit.

Pse ndodh kjo?

Algoritmet që përdorin motorët e kërkimit dhe rrjetet sociale janë në dijeni të preferencave tona bazuar në zgjedhjet që bëjmë gjatë navigimit duke krijuar automatikisht një profil virtual tonin.

Pasi kanë kuptuar preferencat  e përdoruesve, motorët e kërkimit si edhe rrjetet sociale i targetojnë përdoruesit sipas sjelljes së tyre online.

Nëse algoritmet e Google dhe Facebook për shembull vërejnë se ne frekuentojmë kryesisht përmbajtje online mbi teori konspiracioni dhe që flasin për një komplot botëror me pandeminë, gjasat janë tepër të mëdha që përmbajtja që do të na dalë me pas në “wallin” apo kur kërkojmë diçka të jetë e ngjashme me atë që kemi lexuar/ shpërndarë më herët.

Në këtë mënyrë, përmes përmbajtjes së sugjeruar nga motorët e kërkimit, ne përforcojmë idenë tonë mbi një komplot botëror me pandeminë apo se vaksinat s’duhen bërë, etj., në vend që të lexojmë diçka tjetër të verifikuar dhe që qëndron shkencërisht.

Kështu, duke shfrytëzuar paragjykimet tona, teknologjia nuk po bën gjë tjetër veç se po i përforcon ato duke na kufizuar edhe më tej.

Cila është zgjidhja në këtë rast?

Fillimisht duhet te njohim rrezikun dhe të kuptojmë se ajo që hasim online dhe në rrjetet sociale duhet lexuar me një sy kritik duke kërkuar për referenca.

Së dyti, duhet t’i drejtohemi burimeve te verifikuara të informacionit duke krijuar një liste të burimeve të besuara online.

Tani, pasi kemi shpjeguar se çfarë është dezinformimi dhe si luan me dobësitë tona informacioni i rremë, le t’i le ti kthehemi rasteve konkrete në Shqipëri apo atyre që lidhen me shqiptarët.

Rasti 1

Pak ditë para se KE të caktonte datën e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Parlamentit të këtij shteti iu desh të miratonte atë u quajt “propozimi francez”, një paketë që synonte gjetjen e një zgjidhjeje ndaj vetos bullgare. Ndërkohë që vijonin punimet në Kuvend, grupet opozitare jashtë tij zhvilluan protesta të dhunshme kundër miratimit të këtij propozimi me argumentin se kështu cënohej identiteti maqedonas. Në mënyrë të pakuptueshme, shqiptarët u bënë objektivi kryesore i shfryrjes së frustrimit të nacionalistëve maqedonas. Mjaft biznese të tyre në Shkup u goditën me gurë apo sende të forta.

Një postimet e shpërndara në rrjetet sociale nga mediat maqedonase ku flitet për parakalime të UÇK-së në Shkup

Për t’i hedhur edhe më tepër bezinë zjarrit, në rrjetet sociale filluan të shpërndaheshin lajme të rreme sipas të cilave persona me uniformën e UÇK-së kishin filluar të patrullonin nëpër rrugët e Shkupit (shiko foton sipër). Lajmi u shpërnda në disa portale në gjuhen maqedonase dhe u desh vetëm ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën në rrugë[5]. Më pas u zbulua se në fakt bëhej fjalë për një nderim të bërë ndaj një komandanti të UÇK-së që kishte rënë në luftën e Kosovës dhe parakalimi nuk kishte ndodhur fare në Shkup, por në Tetovë dhe konteksti ishte krejt tjetër.

Rasti 2

Në 13 korrik 2022 në disa llogari Twitteri u shpërnda një video ku dukej një makinë me gjoja targa shqiptare, e mbushur me raketa anti-tank “Javelin”, ku pretendohej se armët e nisura për të luftuar rusët në Ukrainë, në fakt kishin përfunduar në duart e shqiptarëve në Kosovë.

Qëllimi ishte i qartë: Delegjitimimi i luftës së Ukrainës, ndihmës së Perëndimit ndaj saj nga njëra anë si edhe krijimi i tensioneve në Ballkan me argumentin se shqiptarët po armatoseshin me armë të avancuara.

Postim në Twitter i videos së makinës së pretenduar me targa shqiptare, ngarkuar me raketat Javelin

Po ashtu, tentohej që në valle të futej edhe Shqipëria pasi ata që kishin bërë këtë video u kujdesen që shtrëngimi i duarve mes ukrainasve të pretenduar si shitës dhe shqiptarëve të Kosovës, të pretenduar si blerës, të bëhej pranë bagazhit të një makine të pretenduar me targa shqiptare.

Nga një verifikim paraprak, duket qartë që videoja është e montuar. Duket qartë që gërmat në targë nuk kanë të njëjtën madhësi. Megjithatë, pavarësisht se një lajm i tillë i rremë, pjesë e një fushate të gjerë dezinformimi kundër shqiptarëve në rajon, në radhë të parë nuk është i vërtetë dhe në radhe të dytë shkakton shumë probleme në rajon, ai gjeti rrugën e publikimit në media me shikueshmëri të madhe në rrjetet sociale në Shqipëri.

Lajmi u shpërnda në disa media me titullin: “Raketat Javelin të Ukrainës shiten në tregun e zi, blerës shqiptarët e Kosovës. Nga një verifikim i të dhënave vetëm në dy media online në Shqipëri, rezulton se lajmi i rremë ka patur një shpërndarje të gjerë.

 Ndikimi

Në të dyja rastet ka munguar një verifikim bazik i fakteve. Ashtu siç shpjeguam edhe më sipër, të dy lajmet kanë marrë shpërdarje të madhe në rrjetet sociale për shkak të faktorëve që lidhen me paragjykimin në rastin e qytetarëve me origjinë maqedonase në Maqedoninë e Veriut dhe për shkak të përkatësisë në rastin e shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe më gjerë.

Sa i përket lajmit mbi rënien në duart e shqiptarëve të Kosovës të raketave “Javelin” të nisura për Ukrainën, ai pati një shpërndarje më të madhe në mediat online në gjuhen serbe dhe llogaritë në Twitter nga përdorues serbë. Nga një vëzhgim i bërë online, lajmi në fjalë nuk gjeti thuajse fare pasqyrim në mediat qendrore në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat kanë bërë një verifikim më të mirë të përmbajtjes.

Referanca

[1] https://www.sciencedirect.com/science/article/abs/pii/S0749596X03000925?via%3Dihub

[2] https://web.archive.org/web/20161231091706/http://ejop.psychopen.eu/article/vieëFile/456/pdf

[3] https://www.vox.com/science-and-health/2017/10/5/16410912/illusory-truth-fake-news-las-vegas-google-facebook

[4] wired.com/2017/02/dont-believe-lies-just-people-repeat/

[5] https://prizma.mk/besot-od-frantsuskiot-predlog-se-istura-vrz-sozhivotot/?fbclid=IëAR3D72vGkn0yZKYbi4jUHq1bglroDjvpLHQojNLyë3SxjdMqk2kZn7zm-r4

Financuar nga Bashkimi Europian
 
Projekti rajonal  PËRBALLJE: Përpjekje e shoqërisë civile për të konsoliduar lirinë e medias dhe për të luftuar dezinformimin dhe propagandën e urrejtjes në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.’ zbatohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian nga organizatat partnere SEENPMInstituti Shqiptar i MediasMediacentar Sarajevo, Kosovo 2.0Instituti Malazez i MediasInstituti Maqedonas për MedianShkolla e Gazetarisë e Novi SadInsittuti i Paqes dhe Bianet.
Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.


Shtuar 24.07.2022 14:10