Mbajini shënim këto 4 gjëra para se të shkoni me pushime me vjehrrën, do ju shpëtojnë marrëdhënien me të

E dimë, nuk është ky skenari që kishit ëndërruar për pushimet tuaja aq shumë të dëshiruara, por duhet ta pranoni: sivjet do të bëni pushime me vjehrrën dhe bëni mirë të jeni të përgatitura. Dhe kur themi të përgatitura, nuk nënkuptojmë vetëm të merrni me vete kremin e diellit për fytyrën, trupin, apo disa komplete rroba banje etj, me siguri asaj do t’i bëjë përshtypje koleksioni juaj dhe do t’ju thotë që nuk keni nevojë për aq shumë, por të përgatitura psikologjikisht për çdo ‘’ndryshim’’ të mundshëm.

1.Mundohu të shmangësh sfidat me të: Ajo është gruaja që solli në jetë partnerin tënd, ti je gruaja që do të sjellësh ose ke sjellë në jetë fëmijët e tij. Prandaj nuk është aspak e këshillueshme të vendosni rëndësinë dhe rolin tuaj në të njëjtën shkallë matëse. Mos bie pre e fjalive të tipit: ‘’Unë e di se çfarë i duhet vogëlushit tim. Di ta gatuaj pjatën e tij të preferuar më mirë se kushdo tjetër apo vetëm duart e mia dinë ta përkëdhelin me aq dashuri”. Ok, do të jetë e vështirë, por duke ruajtur qetësinë, do i evitoni vetes shumë probleme dhe nuk do i jepni mundësinë t’ju prishë pushimet.

2.Përcakto agjendën që në fillim: Gjatë pushimeve mund të ndodhë gjithçka, megjithatë një gjë është e sigurt: gjithmonë do të ketë të ftuar që do të ndezin netët verore, festa dhe alkool deri në agim. Bëni mirë të përgatisni vjehrrën tuaj me idenë që duhet të respektojë hapësirën dhe nevojat tuaja për t’u argëtuar, që logjikisht nuk nënkuptojnë të mbylleni që në orën 20 të mbrëmjes në hotel ose shtëpi për të parë serinë e radhës të ndonjë telenovele turke. Edhe pse telenovelat e TRING janë aq fantastike, sa vështirë t’u rezistosh.

3.Ji vetvetja: Nëse nuk të hahen mashurka, mos i ha e nëse do të shoqërosh kallamarët me verë të bardhë, dhe jo të kuqe, atëherë bëje. Nuk ke përse të ndrydhësh emocionet dhe dëshirat e tua për askënd, në këtë rast vjehrra. Duke i bërë të qartë që në fillim se keni mendime të ndryshme rreth shijeve të caktuara, ajo do ta ketë më lehtë të të pranojë dhe mos ndërhyjë.

4.Respekto hapësirën e saj: Kjo është një lojë fair play, apo jo? Ashtu siç ajo duhet të respektojë rregullat dhe hapësirën tënde, duhet të bësh të njëjtën gjë edhe ti. Mos kërko t’i imponosh sjellje të reja apo qëndrime që ndoshta nuk përputhen me nevojat e saj, si për shembull ato bikinit rozë braziliane (shaka). Mos e pengo që të bëjë miq të rinj dhe të rrijë me ta.


Shtuar 23.07.2022 11:12