Nga Lutfi Dervishi
11 vjet më parë Shqipëria ishte gati të merrte statusin e vendit kandidat dhe të çelte negociatat me BE! Pengesa në atë kohë ishte çështja e kryetarit të qarkut të Fierit! Përfaqësuesi i Komisionit Europian i ardhur në Tirane nga Brukseli lutej që të “merreshin vesh” se komisioni i ri Europian (2014-2019) do t’a frenonte zgjerimin! Kështu ndodhi! Ne nuk u morëm vesh as për 3 ligjet që do na çonin në Europë as për kryetarin e qarkut të Fierit! Mali Zi hapi negociatat 1 vit më pas, dhe Serbia me 2014!
Për Bruksel u nisëm,
Po i ramë pak gjatë,
Asgjë nuk bitisëm,
Me sherr e shamatë!
U zumë e ngaterruam,
Me be mbi flamur,
Ç’ngritëm i rrëzuam,
Verë tullë e hiq gur!
Na rrodhën dekadat,
Si ujët nën urë,
Fillikatë në rrugë
Përballur me një mur…
Vitet shpejt vrapuan,
Pas gurit të rendë,
Njëri e sheh armë,
Tjetri e sheh pëndë!
Ah sa gaz u bëmë,
Dyerve të Brukselit,
U vramë e bëmë gjëmë,
Për çështje të “nderit”.
Asnjë hap përpara,
Në emër të “nderit”,
Se çështje për mbi çështje,
Ish “kryetari i Fierit”!
U bë qarku i Fierit,
Si shpikja e rrotës
U bë rrath i ferrit,
Furtunë rreth gotës!
Sot thërrasim: Urra!
Ne jemi në garë!
Ah, jemi ku ishim,
11 vjet më parë!…
Për vite me radhë,
U morëm me samarin,
Kurrë se zgjidhëm hallë,
Kush ngarkon gomarin?
Veshgjatin në krye,
Dhe kalin nga pas,
Ah Europë plot yje,
Na prit buzagaz.
Eh sa jemi lodhur
Sa djersë e sa mund
E nisem të parët
Dhe mbetëm në fund…