Reaksion zinxhir. Pandemia dhe lufta në Ukrainë e kanë përshpejtuar transformimin, shkruan The Economist.
Zinxhirët e furnizimit janë fijet me të cilat është endur globalizmi i dekadave të fundit. Herë pas here, ata kanë lejuar që prodhuesit e mëdhenj të jashtëm, të mundin konkurrentët vendas dhe këta të fundit të detyrohen të gjejnë role në tregje të reja.
Rrjetet e avionëve, postës elektronike dhe anijeve të mallrave, ashtu edhe hekurudhat dhe tubacionet, kanë lidhur së bashku bizneset në Guangdong dhe Oregon, Durban dhe Dubai, Rennes dhe Punta Arenas. Mjeshtrit e përdorimit të tyre, si Airbus ose Apple, mund të arrijnë mrekulli teknologjike nga komponentët e ofruar në dhjetëra shtete, duke përdorur lëndë të para të sjella nga vende edhe më të largëta.
Gjatë pesë viteve të fundit, tensionet që kanë penguar këtë strukturë, janë rritur. Së pari, u vendosën tarifat e Amerikës ndaj eksporteve kineze. Më pas, pandemia Covid-19 rriti kërkesën për një grup të veçantë mallrash, ndërkohë që kufizoi prodhimin dhe transportin e tyre. Së fundmi, lufta e Rusisë në Ukrainë i rriti çmimet e mallrave dhe u kujtoi firmave se sa shpejt një goditje politike mund të mbyllë një treg dhe të bëjë kërdi në të tjerët.
Qeveritë dhe kompanitë nuk kanë bërë shumë për ta ndryshuar këtë gjendje. Por këtë herë, gjërat janë ndryshe. Siç shkroi James Zhan nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin në një artikull të fundit, “Dekada deri në vitin 2030, ka të ngjarë të nxisë një periudhë transformimi për zinxhirët globalë të vlerës”. Ky transformim tashmë po ndodh.
Drejtimi i ndryshimit
Drejtimi i ndryshimit është i dukshëm në të dhënat për inventarët, investimet dhe punësimin; efektet e tij po përcillen në lajmet në mbarë botën. Zhvendosja e një pjese të prodhimit të Apple nga Kina në Vietnam, ka ndezur një luftë për talentet e reja në vend.
Kompanitë kineze janë grumbulluar në një park industrial gjigant në Monterrey, Meksikë, me shpresën për të përmbushur kërkesat e klientëve të afërm amerikanë. Vetëm në maj, Samsung, Stellantis dhe Hyundai, njoftuan 8 miliardë dollarë investime në fabrikat amerikane të makinave elektrike.
Vendimmarrësit janë gjithnjë e më të bindur se zinxhirët e furnizimit duhet të jenë të fortë, jo vetëm efikasë. Si rezultat, ata po zgjedhin të varen më pak nga juridiksionet ku janë të ekspozuar ndaj rrezikut. Dhe vendet po eksperimentojnë me politika industriale që synojnë mbështetjen te vetvetja, ose epërsinë ndërkombëtare, në të paktën disa teknologji dhe biznese “strategjike”.
Kjo nënkupton mbështetjen e investimeve në sektorë të tillë brenda vendit dhe ndonjëherë kufizimin e eksportit të produkteve të këtyre sektorëve. Kompanitë, nga ana e tyre, po blejnë furnizues brenda dhe jashtë vendit në emër të integrimit vertikal.
Sistemi i bazuar në treg dhe me qendër në Kinë, që filloi të shfaqej nga fundi i shekullit të kaluar, po transformohet në diçka që është më pak unitare dhe më e kushtueshme. Ky model i ri pritet të jetë më pak i brishtë. Por tranzicioni do të jetë mjaft i çrregullt dhe me tronditje.
“Ka forca centrifugale dhe centripetale që e tërheqin botën së bashku ose e ndajnë atë”, vëren Douglas Irwin, një historian tregtie në Kolegjin Dartmouth. Zhvendosja e sotme nuk është një lëkundje nga një skaj në tjetrin; është një rritje e forcës centrifugale, e shoqëruar me një dobësim të forcës centripetale, e cila, deri vonë ka qenë në një nivel të lartë historik.
Duke filluar në vitet 1990, teknologjia, stabiliteti gjeopolitik dhe kërkimi i efikasitetit dhe avantazhit, ishin forca tërheqëse të fuqishme. Të çliruar nga pengesat gjeografike, falë komunikimeve më të mira dhe transportit më efikas me kontejnerë, kompanitë kaluan nga një kontinent në tjetrin, në kërkim të inputeve të lira dhe marzheve më të larta të fitimit.
Flukset globale të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) kishin pasur një vlerë sa 0.5% e PBB-së globale në vitet 1970 dhe 1980. Nga mesi i viteve 2000, ato kishin një vlerë prej 5% ose më shumë. Kjo, nga ana tjetër, krijoi një treg global. Në dy dekadat deri në vitin 2008, tregtia si pjesë e PBB-së globale, u rrit nga 37% në 61%.
Një epokë e re po afrohet
Edhe para pandemisë Covid-19, kishte shenja të shumta se globalizimi ishte ngadalësuar. Pjesa e të ardhurave nga jashtë të firmave amerikane, ishte në rënie. Flukset e tregtisë dhe Investimeve të Huaja Direkte, kishin ngecur. Një arsye ishte automatizimi, i cili uli intensitetin e punës dhe avantazhin konkurrues të vendeve me paga më të ulëta, që ishin bërë qendra të jashtme për firmat në vitet 1990 dhe 2000. Një tjetër arsye ishte se pagat në ato vende u rritën.
Në vitin 2000, të ardhurat mesatare vjetore për person në Kinë, të shprehura në dollarë, ishin sa 3% e Amerikës. Kjo është një arsye pse anëtarësimi i vendit në Organizatën Botërore të Tregtisë vitin e ardhshëm, ishte kaq transformues. Deri në vitin 2019, kjo shifër ishte rritur në 16%.
Brishtësia e sistemit ishte bërë më e dukshme. Tërmeti në Tohoku në vitin 2011, mbylli furnitorët japonezë të makinave dhe uli prodhimin e silikonit. Reshjet e mëdha në Tajlandë po atë vit, përmbytën një qendër të prodhimit të hard disqeve. Por shqetësimet për rreziqe të tilla nuk arritën të nxisnin shumë veprime.
Një studim i kohëve të fundit nga disa studiues në Bankën Botërore, arriti në përfundimin se fatkeqësitë në Japoni “nuk çuan në ripërtëritje, zhvendosje, ose diversifikim”. Lufta tregtare me Kinën, të cilën e nisi presidenti Donald Trump në vitin 2018, bëri që drejtuesit e korporatave të diskutonin mbi riorganizimin e zinxhirit të furnizimit.
Megjithatë, kjo nuk solli ndryshime të mëdha konkrete. Në vitin 2019, Kina ende kontrollonte më shumë se një të katërtën e furnizuesve për industritë e mëdha, duke përfshirë kimikatet, elektronikën dhe tekstilet, sipas Bordit të Konferencës, një grupi kërkimor.
Pandemia Covid-19 solli shqetësime të reja. Në ditët e para, qeveritë u përpoqën, shpesh pa sukses, që të siguronin veshje mbrojtëse dhe ventilatorë për spitalet. Ndryshimet në modelet e konsumit, duke u zhvendosur larg shërbimeve personale dhe drejt mallrave të prodhuara, sollën në jetë pengesa të reja. Kohët e fundit, përpjekja e kotë e Kinës për të ruajtur modelin “zero Covid”, ka çuar në ndërprerje të mëtejshme. Me qindra anije mbetën në vend jashtë Shangait – një imazh i cili tashmë është ngulitur në mendjet e shumë njerëzve.
Efektet e pushtimit rus të Ukrainës kanë shkaktuar tronditje të mëtejshme, më të thella. Lufta ka dëmtuar tregjet e energjisë dhe zinxhirin ushqimor, në mënyra që nxjerrin në pah nevojën për furnizime me bazë më të gjerë. Lufta ka bërë të dukshme edhe rreziqet gjeopolitike të varësisë nga një autokraci me ambicie agresive. Kjo ka rritur më shumë shqetësimet për Kinën.
Varësia ekonomike është bërë shkak për veprim, jo vetëm shqetësim. Kjo është më e dukshme në tregjet e energjisë. Europa po punon me ngulm për të ndërtuar inventarët e saj të gazit, si dhe kapacitetin për të importuar gaz natyror të lëngshëm (GNL).
Në maj, NextDecade, kompani energjetike amerikane, njoftoi një marrëveshje 15-vjeçare për t’i shitur gaz natyror të lëngshëm kompanisë franceze Engie, e cila do të katalizojë investimet në një terminal të ri eksporti përgjatë bregut Louisiana. Disa demokratë po mendojnë të mos kundërshtojnë më ndërtimin e tubacionit Keystone XL nga Kanadaja. Infrastruktura e re dhe kontratat afatgjata po i japin formë një sistemi global elastik, ndoshta më pak efikas, por më të sigurt.
Shqetësimet e varësisë janë të dukshme gjithashtu në prodhim. Gama e mallrave që qeveritë i konsiderojnë kritike, pas pandemisë, është zgjeruar përtej sferës së mbrojtjes dhe shëndetit publik. “Ne nuk mund të lejojmë vendet e tjera që të përdorin pozicionin e tyre në treg në lëndët e para, teknologjitë, ose produktet kryesore, për të pasur fuqinë që të dëmtojnë ekonominë tonë, ose që të ushtrojnë ndikim të padëshiruar gjeopolitik”, tha në prill, Janet Yellen, sekretarja e Thesarit e Amerikës. Kufizimet e eksporteve amerikane tani përfshijnë softuerin bioteknologjik dhe mjetet për prodhimin e gjysmëpërçuesve të përparuar.
Politika industriale po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Më shumë se 100 vende që përbëjnë mbi 90% të PBB-së së botës, tani kanë strategji formale industriale, sipas një sondazhi të OKB-së, me një furi të veçantë aktiviteti në vitet e fundit. Politikat drejtojnë timonin në investimet në kërkimin bazë, e deri tek ato që mbrojnë industritë “strategjike” nga konkurrenca e huaj.
Komisioni Europian po ofron subvencione për prodhuesit e baterive dhe gjysmëpërçuesve. Në Amerikë, ku presidenti Joe Biden e filloi mandatin me një urdhër ekzekutiv “Buy American”, subvencionet për të ndihmuar industrinë që të konkurrojë me Kinën, kanë tërhequr mbështetje dypartiake.
Dëshira për të arritur më lart
Ka pak prova që tregojnë se vendet e pasura po “tërheqin” prodhimin e tyre nga jashtë. Në Amerikë, importet përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të prodhimit vendas – tregues se prodhuesit po bëhen më të varur nga furnizuesit e huaj.
Shpenzimet amerikane për fabrika, magazina dhe të ngjashme, në raport me PBB-në, janë vetëm paksa më të larta se sa ishin në fillim të viteve 2010 dhe shumë më të ulëta se sa ishin në vitet 1970 dhe 1980. Në të gjithë klubin e OECD-së që përbëhet nga vende kryesisht të pasura, pjesa e prodhimit vendas në PBB, është rreth 13%, niveli më i ulët i të gjitha kohërave.
Kompanitë e vendosin vetë nëse rreziku për të provuar një model të ri, e tejkalon rrezikun për të vazhduar me modelin e vjetër. Një qasje mjaft e thjeshtë është nënshkrimi i kontratave me furnitorë shtesë. 81% e drejtuesve të zinxhirit të furnizimit të anketuar nga McKinsey këtë vit, tani po sigurojnë lëndë të para nga dy furnizues, në vend që të varen vetëm nga një.
Të dhënat nga Banka Goldman Sachs, tregojnë se Amerika po rrit numrin e shteteve në të cilat mbështetet për furnizime, një prirje që është e dukshme edhe në vende të tjera të pasura. Kjo në vetvete nuk siguron qëndrueshmëri, sepse nëse kapaciteti nuk rritet, atëherë një goditje do të vazhdojë të shkurtojë furnizimin në total. Planet e mëdha të shpenzimeve kapitale tregojnë se kompanitë po përpiqen shumë për të parandaluar një skenar të tillë.
Kompanitë po krijojnë edhe inventarë—produkte gjysmë të gatshme ose të gatshme, që ruhen si rezervë, të cilat mund të shiten nëse kërkesa rritet papritur, ose nëse furnizimi dështon. Kjo ka kosto të mëdha për sa i përket lidhjes së parave. 3000 kompanitë më të mëdha në botë kanë rritur zotërimin e tyre me 1% të PBB-së globale që nga viti 2019, sipas analizës së The Economist.
Fakti që industritë po përballojnë këto kosto, tregon se ato u druhen problemeve të furnizimit më shumë se dikur. Ato duhet të peshojnë mundësitë dhe të shohin se si reagojnë të tjerët, përpara se të marrin vendime të vështira, si zhvendosja e impianteve apo njerëzve. Disa mund të mendojnë se inventarët më të mëdhenj janë një përgjigje e nevojshme ndaj rreziqeve të zinxhirit të furnizimit.
Një tjetër grup vendimesh të vështira për kompanitë kanë të bëjnë me integrimin vertikal, për shembull, duhet të ndërtohet kapaciteti për vetëfurnizim, apo të blihet një kompani që tashmë e ka atë kapacitet. Në disa sektorë, kjo është një prirje në rritje, e nxitur si nga shqetësimet e zinxhirit të furnizimit, ashtu edhe nga dëshira për të rrëmbyer fitimet nga furnitorët.
Sektori amerikan i kompjuterëve është rreth 50% më i integruar vertikalisht sesa në mesin e viteve 2000, siç matet nga pjesa e të ardhurave bruto të industrisë që grumbullohet nga kompanitë në atë industri (në vend të furnitorëve të jashtëm).
Ndërkohë, integrimi vertikal në sektorin amerikan të makinave, u rrit vrullshëm rreth vitit 2019. Firmat kineze kanë një pozicion mbizotërues, si në prodhimin e baterive, ashtu edhe në përpunimin e mineraleve të kërkuara për këto bateri. Kështu, prodhuesit shumëkombësh të makinave gjetiu, po ndërtojnë fabrikat e tyre të baterive dhe madje po investojnë në miniera.
Pasiguria e Kinës po nxit edhe ndryshime më të gjera. Statistikat zyrtare në lidhje me Investimet e Huaja Direkte në Kinë, tregojnë se ato po rriten, por këto shifra është e vështirë të pajtohen me burime të tjera. Një matje tjetër janë Investimet e Huaja Direkte “greenfield” – lloji i injektimit të kapitalit që ndërton zyra apo fabrika të reja. Që nga viti 2019, Kina ka zotëruar më pak se 10% të flukseve hyrëse globale të Investimeve të Huaja Direkte, nga një kulm prej afërsisht 20% në mesin e viteve 2000.
Numri i vendeve të OECD-së, që i kishin Investimet e Huaja Direkte “greenfield” në Kinë, më të vogla se çinvestimi prej Kinës, ishte zero në vitin 2005. Sipas analizës nga The Economist, ky numër arriti në tetë deri në vitin 2019, ose sa një e pesta e klubit të vendeve anëtare të OECD-së.
Edhe punësimi tregon një histori të ngjashme. Pjesa e stafit të kompanive shumëkombëshe amerikane me bazë në Kinë, është në rënie. Në të njëjtën kohë, këto kompani po rrisin rekrutimin në pjesë të tjera të Azisë. Ato punësojnë rreth 400,000 njerëz në Filipine, një rritje prej 10% që nga viti 2016. Gati 1.4 milionë njerëz në Indi punojnë për kompanitë amerikane, një rritje prej 14% që nga viti 2016.
Nuk ka asnjë mal mjaftueshëm të lartë
Pjesë të tjera të Azisë janë përfituesit kryesorë të zhvendosjes larg Kinës. Në vitin 2015, vlera totale e Investimeve të Huaja Direkte të demokracive të mëdha në Kinë, i tejkalonte investimet e tyre gjetiu në Azinë Lindore, me 20%.
Tani, gjendja ka ndryshuar. Në vitin 2021, vendet e OECD-së, importuan rreth 700 miliardë dollarë mallra “të ndërmjetëm” kinezë (lëndë të para, përbërës dhe produkte të ngjashme), që përfaqësojnë një rritje modeste që nga viti 2018. Por importet e të njëjtit lloj mallrash nga Vietnami, u rritën me 70% më shumë, në të njëjtën periudhë.
Investimet po rriten edhe gjetiu. Projektet më të mëdha “greenfield” të Investimeve të Huaja Direkte të shpallura vitin e kaluar, kanë qenë fabrika e çipave prej 19 miliardë dollarësh e kompanisë Intel në Magdeburg, Gjermani dhe fabrika e çipave me vlerë 17 miliardë dollarë e Samsung, në Taylor, Teksas. Në bazë vjetore, Tajvani po injekton dy herë më shumë kapital të Investimeve të Huaja Direkte në vendet e OECD-së, sesa në fillim të viteve 2010.
Shifrat e brendshme të Investimeve të Huaja Direkte për Meksikën, mbeten të vogla, por treguesit kryesorë të ndryshimit janë të dallueshëm. Firmat që ndihmojnë furnitorët të zhvendosin prodhimin në Meksikë, po mbyten me kërkesa nga kompanitë kineze që kërkojnë të hapin dyqane atje, sipas Patrick Van den Bossche nga Kearney, një firmë konsulence. Në maj, një kompani e quajtur Zipfox, e cila ndihmon bizneset amerikane të kërkojnë furnizues në Meksikë, përjetoi një rritje me 20% të trafikut të klientëve të rinj në faqen e saj të internetit.
Meksika është tërheqëse falë qasjes në tregjet e Amerikës së Veriut, të siguruar nga Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada. Marrëveshje të ngjashme tregtare mund ta bëjnë më të lehtë dhe më të lirë ristrukturimin e zinxhirëve të furnizimit. Fatkeqësisht, udhëheqësit e Amerikës nuk kanë treguar ndonjë interes për t’i bindur votuesit se kjo do t’ia vlente barra qiranë të bëhej.
Rimodelimi i zinxhirëve të furnizimit kërkon kohë, dhe dallimi i efekteve kërkon edhe më shumë kohë. Shefi i një prodhuesi gjigant amerikan, i cili tani prodhon 90% të produkteve të tij në Kinë, thotë se po planifikon të rrisë në mënyrë dramatike investimet në prodhimin amerikan dhe europian, gjatë pesë viteve të ardhshme. Edhe në këtë skenar, Kina prapë do të prodhonte rreth gjysmën e mallrave të kompanisë në fjalë. Por ndryshimet kanë filluar.
Kostot e mëdha të marrjes parasysh të faktorëve të tjerë përveç efikasitetit, do të bien mbi taksapaguesit, kompanitë dhe konsumatorët. Në parim, përfitimet duhet të ndihen gjithashtu. Por ato mund të mos jenë lehtësisht të dukshme. Ekonomia botërore mund të bëhet më pak e ndjeshme ndaj goditjeve, në një kohë kur ndryshimet klimatike dhe tensionet gjeopolitike po rrisin frekuencën dhe intensitetin e tyre.
Në të vërtetë, disa nga tensionet mund të përkeqësohen. Përpjekjet për të rritur sigurinë ekonomike mund të krijojnë goditje të tjera. Këtë vit, grupi i tarifave të reja për panelet diellore të importuara, çoi në pezullimin e projekteve solare amerikane.
Rritja e integrimit ekonomik nuk solli harmoninë më të madhe globale që kishin shpresuar disa. Është e vështirë të përfytyrohet se fragmentimi do të krijojë një botë më të mirë dhe është shumë e lehtë të gjenden anët e tij negative. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse, për një kohë të gjatë, ndryshimet në formën themelore të globalizmit u përfolën shumë, por nuk u ndoqën në praktikë. Tani që ato po ndodhin me të vërtetë, po rrisin ndjeshëm ankthin në ekonominë botërore./MONITOR