Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi vazhdon me denoncimet e saj për evazionin fiskal që po bëhet me inceneratorët.
Ajo ka publikuar të dhënat që, sipas Kryemadhit, tregojnë sesi kompania fiktive “Elvis 03 Group”, i ka bërë fatura fiktive kompanisë ITS të Klodian Zoto, në vlerën e 3.5 milionë dollarëve, fiks një vit pas hetimeve që qeveria thotë se i ka kryer. Kompania ITS është nënkontraktore për realizimin e investimit të inceneratorit të Tiranës dhe dy inceneratorëve të tjerë.
Kryemadhi ka ngritur 4 pyetje për qeverinë dhe shkruan se SPAK nuk i falet nëse nuk heton këtë skandal.
Postimi i Kryemadhit:
Opinioni publik është qartësuar këto ditë edhe më tepër përmes fakteve konkrete, pse Edi Rama, Erion Veliaj dhe banda e tyre në qeveri, kanë realizuar dhe mbrojnë me çdo kusht aferën e inceneratorëve, krye-aferën korruptive të këtyre 30 viteve.
Të moshuar 95 vjeçarë, emigrantë shqiptar, si rasti i çobanit në Greqi që u intervistua sot nga media, e njerëz të varfër pa asnjë lidhje me sipërmarrjen/biznesin në jetën e tyre, janë përdorur pa mëshirë nga grupi i strukturual kriminal, qeveri-individë, për të realizuar vjedhjen e parave të shqiptarëve.
Qeveria thotë se i kanë hetuar kompanitë fiktive në vitin 2018, por shikoni tabelën e mëposhtme që tregon se në vitin 2019, pra 1 vit pas hetimit të tyre, kompania fiktive “Elvis 03 Group”, i ka bërë fatura fiktive kompanisë ITS të Klodian Zoto, në vlerën e 3.5 milionë dollarëve.
Kompania ITS është nënkontraktore për realizimin e investimit të inceneratorit të Tiranës dhe dy inceneratorëve të tjerë.
Le të përgjigjet qeveria:
-Si ka mundësi që pasi është zbuluar në vitin 2018, kompania “Elvis 03 Group” është lejuar të ketë aktivitet financiar?
-A e keni hetuar ITS e Klodian Zoto për këtë aktivitet financiar 3.5 milionë dollarë me një kompani që ju vetë e konsideroni evazioniste, si “Elvis 03 Group”?
-Nëse po, a është referuar ITS në prokurori?
-Nëse nuk e keni hetuar, urdhri i kujt e ka bërë administratën tatimore të mbylli sytë?
Unë e di të vërtetën dhe ajo flet qartazi se kjo është skema si Klodian Zoto ka kthyer paratë mbrapsht te qeveritarët që dhanë firmat e paligjshme për inceneratorët.
Qeveria shqiptare është e mirëpritur të përgjigjet, ndërsa drejtësisë së re dhe SPAK në veçanti, nuk i falet të mos veprojë sa më parë kundër kësaj vjedhje të faktuar tashmë me 3 koncesionet e inceneratorëve.
Në çdo vend normal të botës kryeministri duhet të jepte dorëheqjen e menjëhershme pas këtij skandali tashmë të ekspozuar, por arroganca qeveritare e mbështetur tek një aleancë e errët ndër institucionale, mban gjallë iluzionin e shpëtimit nga gjykimi. Faktet do vijojnë të bëhen mal, deri sa faktet të fitojnë mbi peshën e çdo karrige drejtuesi qeverie, bashkie, apo drejtësie./albeu.com