Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi sot deklaroi se po punohet intensivisht që të miratohen konkluzionet në Kuvend dhe në Qeveri në lidhje me propozimin e modifikuar francez, përcjell TV21. Grubi tha se ka frikë se nëse nuk e pranojmë këtë propozim, vendi në të ardhmen do të duhet të bëjë kompromis me propozim edhe më të keq, si shembull Grubi i dha propozimet e zgjedhjes së kontestit me Greqinë.
“Duhet të jemi të sinqertë me qytetarët, në vitin 2011 kishim zgjidhje për kontestin me Greqinë, që ishte shumë më i mirë me atë që e miratuam në vitin 2018. Nuk kishte të bëjë me erga omnes, nuk kishte të bëjë me ndryshime kushtetuese, ishte shumë më i mirë, por mungesa e guximit të elitës politike në atë kohë na çoi në propozim shumë më të keq, që na detyroi ndryshime kushtetuese dhe përdorim erga omnes të emrit të ri kushtetues. Kam frikë se ky propozim që nuk është më i miri, por më të mirë nuk do të marrim asnjëherë, do të jetë shumë më i keq në të ardhmen”, deklaroi Grubi./TV21