Parlamenti i Maqedonisë së Veriut po debaton mbi një mocion mosbesimi kundër kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi, të ngritur nga opozita maqedonase, e cila e akuzon atë për shkeljen e rregullores së parlamentit. Megjithatë, opozita nuk i ka votat e nevojshme për rrëzimin e zotit Xhaferi nga posti.
Ligjvënësit e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE akuzojnë kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi se ka shkelur gjatë një sërë procedurash rregulloren e punës së parlamentit si dhe e ka kthyer institucionin në një “makinë votimi për pazaret kriminale të qeverisë”, siç u shpreh kreu i grupit të deputetëve të opozitës maqedonase.
VMRO-ja ka ngritur mocionin para një muaji, kur deputetët e saj fillimisht e fajësuan zotin Xhaferi se i kishte mbyllur me çelës dyert e sallës së seancave dhe se kishte kryer në këtë mënyrë, sipas tyre, një vepër penale duke i mbajtur deputetët brenda sallës kundër vullnetit të tyre. Por, kreu i parlamentit shpjegoi sot sikur edhe më parë se mbyllja e dyerve lejohet me ligj, ndërsa bëhet numërimi i deputetëve për të konstatuar kuorumin.
Ndërkohë, ligjvënësit e VMRO-së po ashtu akuzojnë zotin Xhaferi se nuk e hoqi deputetin e BDI-së Arbër Ademi nga detyra e kryesuesit të Komisionit për Çështje Evropiane pas një incidenti para pak ditësh, kur ai kishte hedhur sende të forta kundër deputetëve opozitarë.
Por, kryetari i parlamentit si dhe partitë e koalicionit qeveritar, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, thonë se opozita po provokon situata të tensionuara, duke penguar zhvillimin e seancave përmes sjelljeve dhe veprimeve agresive.
Zoti Xhaferi u tha deputetëve të VMRO-DMNE-së se duhej ta shikonin së pari veten në pasqyrë para se ta akuzonin atë për shkeljen e ligjeve dhe rregullores së parlamentit.
“Dikush tjetër i hapi dyert në prill të vitit 2017 kur u rrezikuan jetët e deputetëve”, tha ai në lidhje me ngjarjet e dhunshme të atij viti, për të cilat u akzuan disa ligjvënës të VMRO-së. Ai theksoi se do të vazhdojë të punojë për të mbrojtur integritetin e institucionit kryetar i Parlamentit.
Ligjvënësit e BDI-së, nga ana tjetër thonë se Maqedonia e Veriut nuk ka pasur një kryetar më të mirë të Parlamentit se sa zotin Talat Xhaferi.
Sidoqoftë, opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar kreun e parlamentit nga posti. Që kjo të ndodhë, nevojiten 61 vota nga 120 vendet në parlament./VOA