Pas përfundimit të mbledhjes së dy qeverive në Kosovë, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i është përgjigjur interesit të mediave lidhur me Vetingun që Kosova planifikon të zbatojë dhe ku përvoja e Shqipërisë shihet si shumë e rëndësishme.
“Ne tashmë i kemi ndarë përvojat tona me Albulenën në lidhje me procesin e Vetingut në Shqipëri, sepse takimet dhe kontaktet tona kanë qenë të shpeshta, të drejtpërdrejta, jo vetëm në nivelin e dy ministrive por edhe të grupeve të deputeteve në nivel parlamentar. “Jam i bindur që ekspertët e Kosovës janë të familjarizuar me procesin e Vetingut në Shqipëri. Është një proces që zhvillohet me tre plane, në rrafshin e kontrollit të pasurisë, të figurës, por edhe të aftësive profesionale”, është shprehur Manja.
Sipas tij e rëndësishme është që nga procesi i Vetingut që do të zhvillohet në Kosovë, të rritet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë nuk ka lënë pa përmendur edhe procesin e Vetingut në vendin tonë, i cili përfundon në vitin 2024. “Ne, sot që flasim, kemi vetuar gati 650 subjekte nga 800 gjyqtarë dhe prokurorë që ka Shqipëria dhe 60% e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri nuk kanë arritur ta kalojnë filtrin e Vetingut. Komponenti kryesor ku ata nuk kanë arritur të jenë bindës për Komisionet e Vetingut ka qenë pasuria”, është shprehur Manja duke shtuar se tashmë një tjetër sfidë për t’u përballuar është plotësimi i vakancave për shkak të largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por ai është treguar optimist: “Unë besoj do ta përballojmë me një koordinim dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë”, ka theksuar Manja. Për të, Shkolla e Magjistraturës është faktor i rëndësishëm në procesin e mbarimit të Vetingut./albeu.com