Në një intervistë për Fax News, Vanesa Sadikaj, motra e Aleksandër Sadikaj të riut ndaj të cilit u bë atentat me tritol në 11 qershor, ka sqaruar se vëllai i saj nuk ishte pasur asnjë konlfikt me persona të tjerë dhe se nuk ruhej nga askush.
E pyetur për armën e gjetur në automjetin e Sadikajt, e motra u përgjigj se nuk kishte mjaftueshëm informacion por që nëse do të ruhej nga dikush familjarët e tij do të ishin kujdesur për ta dërguar jashtë shtetit.
“Nuk e kam pasur dijeninë për këtë por di që ajo gjë nuk ishte se ruhej nga diçka sepse po të ruhej nga diçka nuk do bënte një jetë kaq të mirë. I kemi mundësitë familjarisht që ta dërgonim jashtë dhe ta mbronim”– u shpreh e motra e të ndjerit për Fax News.
Vanesa Sadikaj gjithashtu i cilësoi gënjeshtra lajmet mbi kundërshtimin e forcave të policisë, duke sqaruar se i vëllai thjesht nuk kishte pranuar të mbyllte lokalin familjar mbrëmjen e ditëlindjes dhe se mediat po e zmadhonin ngjarjen.
“Edhe kjo është një gënjeshtër e madhe që po e zmadhojnë shumë. Vëllai im ka pasur ditëlindjen në 29 maj ku po mbahej një festë në lokalin tonë në Tiranë. Policia ka ardhur të kërkojë që lokali të mbyllej sepse ishte mesnatë. Vëllai im thjesht nuk ka pranuar që të përfundonte festa, por nuk ka pasur diçka të tillë siç e bëjnë mediat”./fax