Nisesh dhe nuk di ku përfundon! Wizz Air shkakton kaos me fluturimet, çmimet “e lira” bëhen “makth” për qytetarët

Duket se problemet me fluturimet e linjës Wizz Air nuk kanë të sosur për pasagjerët shqiptarë.

Teksa pak ditë më parë një rast ekskluziv u raportua për albeu.com, ku avioni i linjës Wizz Air që ishte nisur nga Dortmundi drejt Tiranës bëri ulje të detyruar në Rinas, të tjera probleme të kësaj natyre po vijojnë të pasojnë këtë linjë.

Një tjetër raportim ka ardhur për albeu.com, ku qytetarët shprehen se për shkak të problemeve të sistemit, ata nuk kanë arritur dot të bëjnë Check-in online dhe janë detyruar që të paguajnë rreth 40 euro në sportele.

Më pas një tjetër fluturim shqetësues u raportua nga qytetarët, ku këtë herë problemi ishte me linjën e fluturimit Tiranë-Bruksel.

Qindra qytetarë shqiptarë përjetuan udhëtim shqetësues me kompaninë e fluturimeve loë cost, Wizz Air.

Fluturimi i linjës Tiranë – Bruksel (Charleroi) u ndërpre në mes për shkaqe ende të panjohura.

Sipas burimeve nga qytetarët, avioni i Wizz Air nuk ishte pranuar të ulej në Belgjikë dhe u detyrua të ulej në Lilë të Francës.

Kjo gjë kishte detyruar pasagjerët që pjesën tjetër të udhëtimit ta vazhdonin me autobus.

Vonesat nëpër aeroporte janë të shumta dhe shumë qytetarëve u anulohen udhëtimet dhe lihen në aeroporte.

Kompania nuk merr asgjë përsipër veç rimbursimit të biletës që në rastin më të mirë ka një çmim prej 60 eurosh.

Pjesën tjetër të udhëtimit, sipas pasagjerit, ata u detyruan ta bëjnë me autobus, raporton Zoom News.

WizzAir raportohet të ketë probleme të tilla edhe në vende të tjera. Mediat hungareze shkruajnë se disa ditë më parë, për të dytën herë në dy javë, Wizz Air ka braktisur 200 pasagjerë në aeroportin Orly të Parisit.

Një ditë më parë Daily Mail raportonte se Wizz Air i la për më shumë se 10 orë pasagjerët në aeroportin Getwick të Londrës dhe se askush nga kompania nuk u dha sqarime udhëtarëve që kishin prerë biletat.

Britanikët që fluturojnë me Wizz Air e kanë akuzuar linjën ajrore për ofrim të një “shërbimi të kobshëm”, shkruan Daily Mail.

Kujtojmë se avionët e kësaj linje u prezantuan me shumë bujë nga kryeministri Edi Rama.

Kjo pritej të sillte një kosto më të lirë për fluturimet e qytetarëve shqiptarë, gjë që po del në të kundërt, pasi sorollatjet e tepërta dhe kostot shtesë gjatë problematikave të linjës, bëjnë që qytetarët të paguajnë shumë më tepër.

Një fluturim që normalisht mund të zgjasë deri në dy orë, me Wizz Air mund të zgjesë me orë të tëra, nisesh dhe nuk dihet ku përfundon.

Pikëpyetja është nëse ja ka vlejtur kjo nismë e qeverisë shqiptare për udhëtimet e qytetarëve shqiptarë./albeu.com/