Vranë Naim Bajrin dhe plagosën punëtorin e tij, dalin pamjet e makinës së djegur që autorët përdorën për krimin (VIDEO)

Pamjet që shihni më poshtë janë të makinës tip “Benz” që autorët përdorën për të vrarë mëngjesin e kësaj të premteje, Naim Bajrin, 68 vjeç dhe punëtorin e tij, 58 vjeç, të cilët po pinin kafen e mëngjesit.

Makina e djegur, sipas policisë, është gjetur në një livadh, në lagjen  “Guerrile”, Shkodër.

Si ndodhi vrasja:

Rreth orës 07:20, në lagjen “Rus”, Naim Bajri, tregtar peshku, ka qenë duke pirë kafe me punëtorin e tij. Në këtë moment, persona me një makinë, kanë ardhur dhe kanë qëlluar në drejtim të tavolinës së tyre.

Ata kanë qëlluar 10 herë dhe për pasoja ka mbetur i vdekur në vend Naim Bajri, ndërsa punëtori i tij, Astrit Zeneli, ka mbetur i plagosur, jashtë rrezikut për jetën. Viktima ka marrë 7 plumba ndërsa i plagosuri vetëm 1 në krah. Autorët, pas krimit, janë larguar menjëherë nga vendngjarja.

Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si Naim Bajrit i vranë djalin në vitin 2001:

Më 21 tetor të vitit 2001, Ilmir Hajdari, së bashku me Xhabir Shegajn dhe Kujtim Barbullushi ekzekutuan Indrit Bajrin(djalin e Naim Bajrit) me armë automatike. Vetë Shegaj u ekzekutua me snajper në vitin 2015 për vrasjen e Indrit Bajrit. Në atë kohë policia bëri me dije se Ilmir Hajdari kishte debatuar me Indrit Bajrin e në grindje e sipër kishin kërcënuar njëri-tjetrin e ishin ndarë të acaruar. Ditën e ngjarjes, Ilmiri, pasi kishte marrë me vete edhe Xhabir Shegën e Kujtim Barbullushin, po udhëtonin me një makinë “Mercedes Benz”. Të tre të pandehurit ishin të armatosur me armë dhe po lëviznin nga qendra e qytetit në rrugën kryesore, në drejtim të lagjes “Partizani” (Rus). Te kryqëzimi, pranë Shkollës së Muzikës, në trotuarin pranë restorant “Podgorica”, Ilmir Hajdari ka vënë re Indrit Bajrin dhe ky i fundit ka vënë re atë (Hajdarin). Menjëherë ata kanë reaguar ndaj njëri-tjetrit dhe Ilmiri ka qëlluar në drejtim të tij. Po ashtu, ndaj Bajrit kanë qëlluar Xhabir Shega e Kujtim Barbullushi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në lidhje me këtë ngjarje (vrasjen e Indrit Bajrit), Ilmir Hajdari është dënuar me 16 vite burg. Ky i fundit është arrestuar në vitin 2009, por pas 4-5 vitesh është liruar, sepse ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk është ai autori i vrasjes se Indrit Bajrit./albeu.com

 


Shtuar 3.06.2022 08:47