Pas më pak se dy vitesh që nga momenti kur u vu në pranga Erion Alibej, dje ndaj tij u çel procesi gjyqësor.
Ai është nën akuzë për vrasjen e dy djemve nga Elbasani, ngjarje të ndodhura në korrikun e dy viteve më parë. Në fakt Alibej është vënë nën akuzë për shkak të dëshmisë së dy personave që morën pjesë në vrasjet, në role të ndryshme, ndërkohë që po për këto vrasje dhe për disa të tjera, emri i tij ka dalë edhe nga dëshmitë e Nuredin Dumanit dhe të Henrik Hoxhës, dy vrasësit e pamëshirshëm me pagesë që gjeneruan episode të përgjakshme që nga Elbasani e deri në Durrës.
Erion Alibej akuzohet se ka paguar për ekzekutimin mafioz të Emiljano Ramazanit dhe vrasjen brutale të Regis Runajt. Për të parin, bëhet me dije nga të gjitha dëshmitë se ekzekutor është Skerdi Tasi, fieraku që doli në skenë në janar të këtij viti teksa realizoi atentatin ndaj biznesmenit të njohur Lulzim Masha, ndërsa vrasjen e Runajt e ka kryer i penduari i drejtësisë, Euglen Halili.
Është pikërisht ky i fundit i cili që para dy vitesh ka arritur të hedhë dritë mbi një mori krimesh, e jo vetëm për vrasjet e Ramazanit dhe të Runajt, por që SPAK nuk mundi dot të realizonte atë që bëri pak javë më parë pas dëshmisë së dy killerave miq me njëri-tjetrin, të cilët kanë folur për të paktën 12 vite aktivitete kriminale që lidhen me ngjarje të njohura dhe të panjohura. Halili, i cili u vu në pranga për vrasjen e shokut të tij, Regis Runaj, vrasje që sipas tij e kishte bërë për një shumë prej 30 mijë eurosh, por që nuk i kishte marrë, i tregoi prokurorisë se ai kishte dhënë informacion edhe për Emiljano Ramazanin.
Madje shoku i tij që u arrestua njëherësh me të ishte ura lidhëse mes veprimeve të tij dhe personit që kishte për të paguar paratë për aktet monstruoze të vrasjeve. Me dëshminë e Halilit dhe të Xhuljan Hoxhës, bashkautor në të dyja vrasjet, prokuroria siguroi një pjesë të mirë të sagës së përgjakshme të Elbasanit, ku u tha se Alibej kishte kërkuar ekzekutimin e Ramazanit dhe të Runajt për shkak se dyshonte se ata kishin marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit, ku janë vrarë vëllai, xhaxhai dhe një miku i tij.
Euglen Halili u arrestua pasi harroi motorin në të cilin kishte kryer vrasjen e Regis Runajt në shtëpi dhe ia gjeti Policia. Ose ky është versioni i Policisë dhe i prokurorisë për atë ngjarje dhe arrestim. Kur u vu në pranga, ai tregoi jo vetëm për vrasjen, por edhe për shokun-bashkëpunëtor, ndërkohë dëshmia e tij u dokumentua si bashkëpunëtor i drejtësisë. Prokuroria, në bazë të asaj dëshmie, udhëzoi arrestimin e Erion Alibejt, ndërsa bëhet me dije se mbrojtësit e këtij të fundit hodhën poshtë faktet e dëshmitarëve, duke pretenduar se ata nuk thonë të vërtetën dhe se procesi është i montuar nga ana e prokurorisë.
Po ashtu, mbrojtja pretendon se Halili ka dhënë dëshmi pasi është dhunuar nga Policia. Por këto pretendime do të zbulohen gjatë procesit gjyqësor që ka nisur ditën e djeshme dhe do të vijojë gjatë, pasi tashmë do të jenë me dhjetëra ngjarje e qindra dëshmitarë që do të përplasen me të vërtetën e akteve që përgjakën Elbasanin e jo vetëm. Po çfarë ka dëshmuar Halili për Alibejn dhe vrasjet? Prokuroria ka një dosje voluminoze që lidhet me shumat e parave që kanë marrë djemtë, për mënyrën se si kanë funksionuar dhe për shumëçka tjetër që ende nuk është zbardhur në ato krime të rënda.
“…Unë së bashku me Xhulian Hoxhën jemi përfshirë në vrasjen e Emiljano Ramazanit, ndodhur një javë para vrasjes së Regis Runajt. Rreth dy muaj para ngjarjeve, Xhulian Hoxha, të cilin e pata njohur për shkak të marrëdhënies së punës që pat pasur babai me të atin e Xhulianos, më ka ofruar të ‘bënim një punë’ që do ishte shumë fitimprurëse. Xhuliani më pati thënë se duhet të ndiqnin lëvizjet e një personi në Elbasan, pasi dikush tjetër që fshihej pas Xhulianos, ishte i interesuar ta vriste.
Ndaj për informacionet që do t’i jepja Xhulianit dhe më pas ky i fundit personit që qëndronte i fshehur, do paguheshim shumë mirë. Unë jam joshur nga oferta e Xhulianos dhe pranova të bëja këtë punë, duke ndjekur lëvizjet në qytet të Emiljano Ramazanit
Pas çdo ndjekjeje që bëja, i raportoja Xhulian Hoxhës në takimet që bënim në shtëpinë e këtij të fundit, por dhe në bare dhe vende të tjera. Unë hyja dhe dilja gati përditë në shtëpinë e Xhulianit, që jeton me bashkëshorten, Artencën dhe kishin një fëmijë të vogël. Siç më thoshte Xhuliani, personi që ishte i interesuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit, banonte në pallatin përballë tij, në katin e fundit dhe se atij i kishin pas vrarë vëllanë dhe donte të hakmerrej, ngaqë Emiljano kishte pas ndihmuar në atë ngjarje ekzekutorët e krimit. Unë e ndiqja nga pas me motor gati përditë viktimën e pritshme, Emiljano Ramazani. Kisha vënë re se nga ora 12-15:00, ai frekuentonte pothuajse përditë një palestër. Për këtë gjë e kam informuar Xhulianin dhe unë e shihja se ai në të njëjtën kohë i shkruante në telefon personit tjetër, që fshihej pas Xhulit.
Për ditët që kam ndjekur Emiljano Ramazanin, deri në datën 20 korrik 2020, Xhuliani më jepte shuma të hollash që varionin nga 20 mijë lekë të vjetër deri në 200 mijë lekë të vjetër. Ditën e ngjarjes, unë ndoqa Ramazanin nga pas me motor dhe pashë makinën e tij ‘Ford Fokus’ të parkuar në rrugën para palestrës. Për këtë kam njoftuar Xhulianin, i cili erdhi dhe e shoqëruan së bashku me motor Ramazanin nga palestra në afërsi të shtëpisë së tij. Xhuliani i shkroi me telefon të interesuarit për këtë. Po këtë ditë, rreth orës 16:00, u vra me armë zjarri Emiljano Ramazani. Të dy, si unë, si Xhuliani, e pamë në televizor vrasjen e tij. Bisedat me Xhulianin për këtë vrasje, por edhe për atë të Runajt, i kam bërë me anë të një aparati telefonik që më ka dhënë vetë Xhuliani”.
Kush është Erion Alibej, i akuzuar për një mori vrasjesh
Në shtatorin e 2 viteve më parë. Ai u arrestua dy ditë pasi u ekzekutua vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela. Brenda një harku kohor prej dy muajsh, u tha se u vranë tre persona si shenjë hakmarrjeje për masakrën e Bradasheshit, ku Alibejt i vranë vëllanë, Endrin, xhaxhanë dhe mikun e tyre, një shtetas turk.
Ndonëse ajo ngjarje nuk është zbardhur ende, sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, të penduarit të drejtësisë, u tha se u bë për shkak të përplasjeve mes grupeve rivale, por pa cilësuar se kush ishin porositësit e asaj masakre. Alibej, pas ngjarjes, nisi një valë hakmarrjeje të egër, pretendon prokuroria ndërkohë që zinxhiri i ekzekutimeve mbërriti deri në Durrës dhe shkoi deri në Belgjikë. Alibej akuzohet se ka kryer porositjen dhe organizimin e dy vrasjeve ku mbetën të vdekur Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj, akte të cilat Alibej i ka mohuar gjithnjë para prokurorisë. Erion (Andrea) Alibej (Dylgjeri), sipas prokurorisë, rezulton i përfshirë edhe në trafikun e kokainës në Itali.
Ai ishte arrestuar bashkë me vëllain e tij të ndjerë në vitin 2013 në Itali, në kuadër të një operacioni antidrogë, konkretisht në fushën e kokainës. Atëherë ai ishte 27 vjeç dhe u kap bashkë me vëllain e tij, Endritin, që ishte 29 vjeç. Italianët treguan se ky i fundi ishte drejtuesi i një grupi të madh kriminal, ku kishte edhe 10 shqiptarë të tjerë. Hetimet ndaj organizatës nisën në maj të vitit 2011, fillimisht ndaj një grupi të tregtarëve të vegjël të drogës në Asti dhe Torino.