Ish-presidenti i vendit Bujar Nishani u nda nga jeta pak ditë më parë për shkak të një sëmundje të rëndë.
Mësohet se trupi i tij do të mbërrijë në Shqipëri ditën e nesërme dhe arkemorti do të vendoset në sallën “Skëndërbeu” te Presidenca, ku familjarët do të presin vizitat.
Ndërkohë ditën e enjte, nga ora 10-12, do të bëhen homazhet sipas protokollit të shtetit. Më pas arkëmorti do të niset drejt varrezave të Sharrës, ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit.
Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i kishte lënë në organizëm. Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID i lanë me shenja pneumonie në mushkëri.
Gjendja e tij u stabilizua për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua. Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.