Të shtëna me armë zjarri në veri të Kosovës, policia në aksion

Një aksion i Doganës dhe Policisë së Kosovës është duke u zhvilluar sot nga orët e paradites në komunën e Zvecanit, në veri të vendit.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se ky aksion ka synim luftën kundër kontrabandimit të mallrave dhe evazionit fiskal.

“Dogana dhe Policia e Kosovës kanë intervenuar sot në një objekt në fshatin Rajetice të komunës së Zveçanit, në të cilin dyshohet se gjenden pëplotë mallra të kontrabanduara nga Serbia”, kanë thënë burimet.

Sipas këtyre burimeve, pronar i këtij objekti është Sinisha Nedelkoviq, njëherit pronar edhe i shtëpisë së mallrave “Metal” në Zveçan, ku veç tjerash shitet edhe teknikë e bardhë, pajisje të ndryshme dhe material ndërtimor.

Burimet më tej kanë shtuar se gjatë aksionit janë dëgjuar edhe të shtëna armësh dhe nuk dihet nëse ka të arrestuar.

Aksioni është duke vazhduar edhe gjatë kohës kur po raportojmë.

KosovaPress ka tentuar të marrë detaje nga Policia por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.


Shtuar 23.05.2022 17:27