Ju bezdisin njollat e ndryshkut, vajit apo verës së kuqe? Ka disa zgjidhje të thjeshta, të cilat gjenden në kuzhinë. Blogerja Elona Sekja, e ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ndau disa këshilla interesante që do t’ju ndihmojnë me një sërë problemesh.
Si të pastroni divanet? Përdorni pak sodë buke me detergjent enësh. Merrni një copë pambuku dhe fërkoni pjesën ku divani është bërë pis. Elona ndau gjithashtu një truk për të pastruar lavatriçen. Përbërësit që ju duhen janë uthulla e mollës dhe soda e bukës.
Si t’u thoni lamtumirë hekurosjes së perdeve?
“Testova uthull të bardhë gjatë larjes. Eviton në maksimum pjesën e rrudhave. Ka acid acetik dhe është shumë i mirë jo vetëm për dezinfektimin por dhe për rrobat e bardha. Uthulla e mollës është një zbardhues natyral. Mund të shtojmë dhe pak sodë buke gjatë larjes”, tha ajo.
Po ndryshku? Sipas Elonës, ju duhet vetëm lëng limoni. “Duhet të kemi kujdes dhe të përdoret në copa pambuku. E lëmë lëngun e limonit dhe e vendosim copën në diell për 30 minuta. Nuk do të mbetet asnjë njollë më pas.”, tha ajo.
Për të hequr njollat e verës, ju duhet shkumë rroje. “Hedhim shkumë rroje sipër njollës. Ka efekt të menjëhershëm”, tha Elona. Sa i përket njollave të vajit, ajo tha: “Përzieni detergjent enësh me sodë buke. Mos e aplikoni sodën direkt në copë sepse ka veti gërryese.”