Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, gjatë fjalës së tij në parlamentin e Ukrainës ka thënë se Perëndimi bëri një gabim që nuk e ndihmoi Ukrainën në vitin 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë.
“Ne, që jemi miqtë tuaj, duhet të jemi të përulur për atë që ndodhi në vitin 2014, sepse Ukraina u pushtua më parë për herë të parë, kur Krimea iu mor Ukrainës dhe filloi lufta në Donbas. E vërteta është se ne ishim shumë të ngadaltë për të kuptuar se çfarë po ndodhte në të vërtetë dhe ne kolektivisht dështuam të vendosnim sanksionet që atëherë duhej t’i kishim vendosur Vladimir Putinit. Nuk mund të bëjmë të njëjtin gabim”, tha ai.
Johnson premtoi se do të dërgojë raketa kundër anijeve Brimstone dhe sisteme anti-ajrore Stormer, së bashku me automjete të blinduara, për të evakuuar civilët nga zonat e sulmuara dhe për të mbrojtur zyrtarët.
Paketa mbështetëse do të përfshijë radarë për të identifikuar artilerinë që bombardon qytetet ukrainase, drone të rëndë për të furnizuar forcat ukrainase dhe mijëra pajisje për shikimin e natës.
Ai thotë se kjo do të ndihmojë qëllimin afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar për të “fortifikuar Ukrainën në mënyrë që askush të mos guxojë t’ju sulmojë më”.