Pas zgjedhjes së shqiptarit Dritan Abazoviç në krye të qeverisë së Malit të Zi, ka ardhur edhe reagimi i presidentit Ilir Meta.
Meta ka uruar Dritan Abazoviç, që u zgjodh në krye të qeverisë së Malit të Zi.
“Urime të përzemërta dhe shumë suksese z.Dritan Abazoviç për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryeministrit të Malit të Zi.
Shpresëplotë se marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy shteteve tona do të fuqizohen akoma më shumë në interes të popujve tanë.
Progresi i Malit të Zi dhe avancimi në proceset integruese janë shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët që jetojnë atje, për të ardhmen e përbashkët europiane, si edhe për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë”, shkruan Meta.
Kujtojmë se 36-vjeçari do të jetë shqiptari i parë në krye të një qeverie në historinë malazeze. Për zgjedhjen e qeverisë së re dhe programin e Abazoviç votuan 45 deputetë të mazhorancës së re, ndërsa 3 deputetë të SD-së votuan kundër./albeu.com/