Besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë kremtuan mbrëmjen e djeshme Pashkët Ortodokse.
Besimtarët festuan së bashku pas 2 vitesh pandemi dhe rregulla anti-covid.
Mbrëmjen e së shtunës Katedralja “Ngjallja E Krishtit”, ka hapur dyert për besimtarët, për mbajtjen e meshës së shenjtë.
Mesha u drejtua nga kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili kreu ritualet fetare.
Simboli i Festës së Pashkëve Ortodokse është veza e kuqe, ndërsa në tavolinën e drekës nuk mungojnë buka e ëmbël apo dhe mishi i qengjit.
Kjo festë cilësohet një nga festat më të rëndësishme nga besimtarët ortodoksë, sepse sipas fesë së tyre, Krishti rikthehet përsëri në jetë.
Pashka është kremtimi i ringjalljes së Jezusit, e cila festohet tri ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Në Vlorë, mesha e shenjtë u mbajt në Kishën e Shën Theodhorit dhe pjesë e ritualit ishin qindra besimtarë.
At Kostandin Prifi ka uruar Gëzuar Pashkët, “Krishti u ngjall.”
Besimtaret ortodoks ne Sarande, festuan Pashken, në Kishën e Shën Harallambit. Besimtarët u rikthyen për të marrë flakën, pas dy vitesh mungesë për shkak të pandemisë.
Edhe në Lushnje, besimtarët kremtuan Pashkët në Kishën e Shën Gjergjit.
Me qirinjtë e lutjes në duar, që simbolizojnë dritën e përjetshme, ortodoksët në Lushnje kanë festuar Pashkët.
Pashkët u festuan gjithashtu edhe në qytete të tjera të vendit, si në Korçë, Berat, etj./albeu.com/