Inter fitoi dje në mbrëmje ndaj Milanit në derbin e luajtur për një biletë në finalen e Kupës së Italisë. Zikaltërit mposhtën kundërshtarët e tyre të Milanos me rezultatin e konsiderueshëm 3-0.
Dy gola fantastikë të Lautaro Martinez dhe një aksion perfekt i finalizuar nga Gosens në fundin e lojës i dhanë biletën e finales Inzaghit. Simone arriti një finale me Interin, por nuk duhet të harrojë që ka edhe 6-të të tjera për të luajtur.
Gjashtë finalet të çojnë te kupa e Serie A, Scudettos. Zikaltërit kanë në letër ndeshje më të lehta në krahasim me rivalët e tyre Milan dhe Napoli. Aktualisht, Milan ndodhet në vendin e parë me 71 pikë, 2 pikë më shumë se Interi që ka edhe një ndeshje mangut. Ndërsa Napoli në vendin e tretë me 67-të pikë.
Por çfarë duhet të bëjë Simone Inzaghi dhe ekipi i tij për të fituar këtë Scudetto?
Inzaghi duhet të bëj gati ekipin e tij fizikisht dhe psikologjikisht në mënyrën më perfekte të mundshme. Fitorja në derbin e gjysmëfinales i ka dhënë besim ekipit. Ata madje u futën me besim të plotë që në mbrëmjen e djeshme, duke kontrolluar totalisht lojën dhe dukej sikur po luanin me një ekip të nivelit më të ulët, dhe jo Milanin.
Me një mbrojtje që duket pothuajse e pakalueshme, me një lojtar si Barella që ka 3 mushkëri, Brozovic me trurin si Einstein, me Perisic që nuk di të ndalojë së vrapuari dhe me një dem të tërbuar si Lautaro Martinez. Këto janë armët e Inzaghit për të luajtur të gjashta ndeshjet e mbetura si finalet e tij, për të arritur te Scudetto.
Prova e vërtetë vjen më datë 23 prill, ku Inter do të presë në Meazza Romën. Nëse zikaltërit arrijnë të marrin tre pikët, gjithçka bëhet më e thjeshtë. Më pas vjen ndeshja me Bologna jashtë, me Udinesen në Meazza, me Empolin në Meazza, me Cagliarin jashtë dhe për ta mbyllur në Meazza kundër Sampdorias.
Ekipi është në formën e tij më të mirë, asnjë i dëmtuar dhe të gjithë të karikuar për të marrë yllin e dytë mbi stemën e ekipit./Nga Hergi Llupi