Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë ka njoftuar zgjerimin e sekretariatit të PS-së duke thënë se kjo është sfida më e madhe e pazgjidhur ende.
“Sfida më e madhe ende e pazgjidhur e një marrëdhënie të re organike të përfaqësuesve të zgjedhur dhe zgjedhësve të tyre. Sesioni tjetër do jetë seksioni organizativ, ku sekretari i përgjithshëm do prezantojë të gjithë punën e bërë nga sekretariati. Të gjithë sekretarët do flasin për punën që kanë bërë por edhe për vizionin e tyre lidhur me rolin që kanë. Gjë që do të kërkojë në fund edhe miratimin e kongresit për sa i takon programeve të paraqitura nga sekretarët ku do shtoj se me kërkesë të sekretarit të përgjithshëm unë e konsideroj të nevojshëm zgjerimin e sekretariatit me dy sekretarë të tjerë.
Në fund të kongresit të gjithë organizatorët dhe drejtuesit e paneleve do të bëjnë për publikun një përmbledhje të punës së kongresit për të gjitha temat më të mprehta dhe do të përcaktojnë edhe piketat mbi të cilat më tej qeveria dhe partia do punojë për të marrë përsipër për realizimin e angazhimeve. Koha në të cilën mblidhet ky kongres është shumë e jashtëzakonshme për shkak të kontekstit që na prek edhe ne siç ka prekur gjithë Europën dhe botën. Siguria është kthyer vetëvetiu në një prioritet themelor në të gjitha aspektet”, tha Rama./albeu.com