PD e Durrësit është duke zhvilluar një mori takimesh në bazë pas shpalljes së zgjedhjeve për krerët e grupseksioneve nga Komisioni i Rithemelimit në kuadër të asaj që ata e quajnë ribashkimi i partisë.
Në një postim në rrjetin sociale Facebook, deputeti i PD Ferdinand Xhaferaj theksoi se takimet janë duke u mbajtur me intensitet duke theksuar se partia duhet të qendrojë larg të shkuarës dhe retorikës së veprimeve përçarëse.
“Një përmbledhje nga takime të mbajtura në Degën e PD Durrës dhe në zonën e Spitallës. Angazhimi për një PD fitimtare, larg së shkuarës dhe retorikës dhe veprimeve përcarëse, vazhdon me intensitet dhe përkushtim”, shkruan ai.
Përmes këtyre takimeve duket se demokratët e Durrësit i prijnë organizimit të mbështetësve të Berishës për riorganizimin e partisë pas vendimit të gjykatës për njohjen e Komisionit të Rithemelimit si drejtues të PD-së.
Veprimet e fundit, të cilat janë konsideruar revanshiste nga demokratët e këtij qyteti duket se kanë çuar në një reagim të tillë, gjë që bën që PD të mbetet ende e përçarë./abcnews.al