Muaji i bekuar i Ramazanit, politika shqiptare uron besimtarët myslimanë

Duke filluar nga orët e para të mëngjesit të së shtunës, besimtarët myslimanë nisin agjërimin për 30 ditë në muajin Ramazan.

Politikanët shqiptarë kanë nisur urimet e tyre përmes postimeve në rrjete sociale.

“Ajo çka Zoti u jep edhe atyre që nuk besojnë është mundësia e të kuptuarit të vlerës së paçmueshme të vetëpërmbajtjes dhe në këtë mbrëmje që sjell ditën e parë të hënës së re të Ramazanit, me këto pamje të Xhamisë së Re të Elbasanit, u uroj megjithë zemër e plot respekt, ndjekësve myslimanë të kalendarit hënor të Islamit, një muaj me agjërim të pranuar e me lehtësim të bekuar prej ndjesisë së të pasurit të Allahut pranë në krah, falë vetëpërmbajtjes së këshilluar prej urtësisë qiellore”, shkruan Rama.

Edhe Presidenti Meta, përmes një postimi në Facebook ku uron agjërim të lehtë e të pranuar.

“GËZUAR MUAJIN E BEKUAR TË RAMAZANIT!

Agjërim të lehtë dhe të pranuar, të shëndetshëm dhe me mbarësi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen!

Uroj nga zemra më shumë paqe dhe begati, harmoni dhe mirëkuptim, gjatë këtij Muaji të Shenjtë si dhe në çdo ditë të jetës, të rrethuar nga mëshira hyjnore dhe të përmbushur nga dashuria e Zotit!

Muaji i Ramazanit është lajmëtar i mesazheve të ngrohtësisë për të gjithë besimtarët, duke na ftuar të tregojmë vlerat më të larta njerëzore, më shumë dhembshuri, përkushtim dhe bujari për njëri-tjetrin.

Shumë myslimanë shqiptarë mund të mos jenë në gjendje ta kremtojnë këtë vit Ramazanin.

Le të zgjatim dorën e ndihmës dhe të punojmë të gjithë për të lehtësuar pamundësinë e tyre sepse kjo periudhë e shenjtë na kujton detyrimet tona të përbashkëta për të ruajtur dinjitetin e çdo njeriu.

Njerëzit e mirë nuk i bën vetëm besimi, por dhe veprat e mira dhe konkrete në shërbim të tjetrit, të komunitetit dhe të kombit, sepse ashtu siç thuhet edhe te një prej haditheve: “Njeriu më i mirë është ai i cili është më i dobishëm për njerëzit”.

Shqipëria ka nevojë për shpresë dhe të bashkuar ne mund dhe duhet t’ja dalim!

NGA MOT GËZUAR MUAJIN E MADHËRISHËM TË RAMAZANIT!”, shkruan Meta.

Kryetari i dorëhequr i PD-së, Lulzim Basha ka uruar për agjërim të lehtë e të pranuarpër të gjithë besimatarët mylimanë.

“Të dashur besimtarë myslimanë, që nesër nisni agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ju uroj agjërim të lehtë e të pranuar, dhe begati për ju dhe familjet tuaja!

Uroj që sakrifica fisnike dhe hyjnore e këtij muaji, të shndërrohet në dritë dhe mbarësi për të gjithë agjëruesit dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen!”, shkruan Basha.


Shtuar 1.04.2022 21:07