Policia e Tiranës ka bërë të mundur parandalimin e një konflikti me armë zjarri dhe që mund të përshkallëzohej me tej.
Shtetasi L. L, 48-vjeç ka kërcënuar me armë kallashnikov në ambientet e një kompleksi, punëtorët e një firme ndërtimi.
Mësohet se konflikti ka nisur për motive pronësie .
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Prevention”.
Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4.
Falë ndërhyrjes në kohë nga Policia, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri.
Vihet në pranga një 48-vjeçar që kërcënoi me armë punëtorët e një firme ndërtimi.
Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në ambientet e një kompleksi, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Prevention”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– L. L., 48 vjeç, banues në Tufinë për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive pronësie, në ambientet e një kompleksi, ka kanosur me armë zjarri, punëtorët e një firme ndërtimi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.