EKSKLUZIVE/ Nga dashuria e tij për Laçin dhe deri te shembulli i lojtarit që ndjek, rrëfehet Klinti Qato

Talenti 24-vjeçar i klubit të Laçit, Klinti Qato, ka patur një karrierë në ngritje.

Një mesfushor me karakteristika tipike të një talenti, të një lojtari të fortë që mesfushës i duhet.

Nga Teuta te Luftëtari, transferimi te Tomori i Beratit e tashmë te Laçi, i cili ndodhet në vendin e dytë në Superiore, vetëm 10 pikë pas Tiranës, duke siguruar dhe një vend në kompeticionet evropiane.

Qato është një nga talentët e shumtë që futbolli ynë ka prodhuar, por që nuk janë vlerësuar aq sa duhet nga klubet e kategorive tona, ku është e qartë se shikojnë për afrime të nënshtetasve të huaj dhe jo vendas.

Në një intervistë me gazetarin e ABC News, Hergi Llupi, Qato ka shprehur dashurinë e tij me klubin e Laçit, objektivat, si edhe lojtarin që ka si shembull.

Jeni pjesë e Laçit, ku do donit të luanit në të ardhmen?

“Unë jam te një nga ekipet më të mira 10 vitet e fundit dhe nuk mendoj të largohem nga Laçi. Ky ekip më ka dhënë shumë dhe unë dua të bëjë më të mirën time që bashkë me ekipin të arrijmë fitore.”

Cilat janë objektivat e tua?

“Objektivat e mia janë disa por unë do të përmend më të rëndësishmet. E para dhe më kryesorja është që unë dua të përmirësohem çdo ditë edhe më shumë, për të ndihmuar ekipin tim.

E dyta është që të arrij sa më shumë fitore dhe trofe me Laçin.”

A mendon se mund të fitojë Laçi Superioren këtë sezon?

“Objektiva e Laçit në fillim të sezonit ishte pjesëmarrja në kupat e evropës. Por gjatë kampionatit ecuria jonë e mirë dhe diferenca e vogël e pikëve bëri që ne të jemi një ekip konkurrues në Superiore. Ne jemi duke ecur në rrugën e duhur dhe mendoj se përderisa matematika nuk ka vulosur asgjë, ne do të luftojmë deri në fund të kampionatit.”

Çfarë mendon se duhet të përmirësosh?

“Unë stërvitem çdo ditë shumë për tu përmirësuar. Gjithmonë i them vetes se nuk jam në nivelin e duhur, për atë çka unë kërkoj nga vetja ime. Dua që në çdo ndeshje të kem rritje. Mendoj se me ndihmën e drejtuesve të Laçit kam për të arritur çdo objektivë timen.”

Shembullin e kujt lojtari ndjek?

“Lojtari im i preferuar është Nicolo Barella. Luaj në të njëjtin pozicion si ai dhe mendoj se kam të njëjtat cilësi. Ai është një nga mesfushorët më të mirë në Evropë dhe unë dua të arrij nivelin e tij.

Është shembulli më i mirë për mua që të ndjek.”


Shtuar 14.03.2022 18:35