Mane shpjegon pse nuk ka interes të jetojë të njëjtën mënyrë jetese si Ronaldo dhe Neymar

Sadio Mane ka thënë se stili magjepsës i jetës së Cristiano Ronaldos dhe Neymarit nuk është për të, duke shpjeguar pse në një intervistë që nxjerr në pah karakteristikat e tij modeste dhe përulëse.

Mane foli gjatë për gazetën franceze L’Equipe dhe preku një sërë temash, duke përfshirë stilin e jetës së tij në krahasim me atë të yjeve si Ronaldo dhe Neymar.

Superylli i Manchester United së fundmi është bërë personi më i ndjekur në Instagram dhe ka një prani të madhe në rrjetet sociale, por Mane këmbëngul se nuk ka interes të jetojë të njëjtën jetë si fenomeni portugez.

“Nuk dua të krijoj përshtypjen se jam pedagog. Por, është e vërtetë që në futboll qarkullojnë disa vlera që më shqetësojnë pak në bazë të edukimit tim”, ka thënë fillimisht senegalezi.

“Por, në vend që të kritikoj me zë të lartë, ndonjëherë preferoj të distancohem pak”.

“Gjëja kryesore është të mos ndryshojmë dhe nuk mendoj se kam ndryshuar”.

“Dhe, për një djalë që vjen nga një qytet i vogël në Casamance, tashmë është një fitore e madhe t’i rezistosh gjithë kësaj”.

I pyetur nëse mund të kopjojë stilin e jetës së Ronaldos dhe Neymarit, ai mohoi.

“Jo! Unë i ndjek ata në rrjetet sociale dhe kjo më mjafton. Unë e dua jetën e tyre të jashtëzakonshme, por kjo jetë nuk është krijuar për mua”, përfundoi Mane.

Mane konsiderohet gjerësisht si një nga sulmuesit më të mirë në Ligën Premier dhe më gjerë, pas heroizmave të tij për Liverpoolin ndër vite.

Ai e ndihmoi skuadrën e tij të fitonte titullin e parë në Ligën Premier dhe në triumfin e tyre në Ligën e Kampionëve në vitin 2019.

29-vjeçari u paraqit gjithashtu në skenën ndërkombëtare, duke fituar Kupën e Kombeve të Afrikës me Senegalin në fillim të vitit.

Pavarësisht suksesit të tij të jashtëzakonshëm në fushë, Mane mban një profil të ulët në mediat sociale dhe gjithmonë tregon përulësi. /telegrafi/


Shtuar 13.03.2022 16:03