Është vetëdorëzuar në komisariatin nr.2 në Tiranë, ish-efektivi i policisë Arbër Sula që akuzohet për vrasjen e shtetasit Jurgen Duka.
Prej 14 dhjetorit të vitit të shkuar ai ishte në arrati, pasi gjatë një konflikti të çastit qëlloi me armën e shërbimit mbi sJurgen Dukën.
Shkak i krimit u bë një zënkë për radhën në një supermarket në rrugën ‘Irafan Tomini’ në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Vetëdorëzohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit J. D.
Si rezultat i presionit të kontrolleve të pandërprera nga shërbimet e Policisë dhe falë negociatave të vazhdueshme me familjarët, mbrëmjen e sotme, në Komisariatin e Policisë Nr. 2, është vetëdorëzuar shtetasi A. S., (ish-punonjës Policie), ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ky shtetas, më datë 14.12.2021, në një market në rrugën “Irfan Tomini”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armën e shërbimit (në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë punonjës Policie, jashtë shërbimit), shtetasin J. D., i cili si pasojë ka ndërruar jetë.
Ish-punonjësi i Policisë ka dorëzuar armën e shërbimit me të cilën kreu krimin, së bashku me municionin luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com/