Lufta në Ukrainë: Çfarë bëri Anonymous kundër Rusisë?

Grupi misterioz Anonymous zgjodhi të qëndrojë në anën e Ukrainës. Grupi i hakerave janë përgjegjës për disa sulme kibernetike që shkatërruan faqet e internetit të qeverisë ruse dhe mediave të lajmeve të mbështetura nga qeveria.

Të hënën, disa shërbime të njohura mediatike ruse u bllokuan njëkohësisht, duke përfshirë agjencitë shtetërore të lajmeve TASS dhe RIA Novosti dhe gazetën Kommersant. Faqet kryesore shfaqnin përkohësisht një mesazh që kundërshtonte pushtimin rus ndaj Ukrainës, raportoi agjencia e lajmeve Agence France-Presse.

“Të dashur qytetarë. Ne ju bëjmë thirrje që të ndaloni këtë çmenduri, mos i dërgoni drejt vdekjes së sigurt djemtë dhe burrat. Putini na detyron të gënjejmë dhe na vë në rrezik,” thuhej në mesazhin e shkruar në rusisht. “Ne jemi izoluar nga e gjithë bota, nafta dhe gazi nuk tregtohen më. Pas disa vitesh, ne do të jetojmë si në Korenë e Veriut,” lexohej në mesazh.

Anonymous është një grup ndërkombëtar i njohur gjerësisht për sulmet e ndryshme kibernetike kundër qeverive, institucioneve dhe agjencive qeveritare, korporatave, Church of Scientology etj. Në fillimet e veta, Anonymous u krijua si një komunitet i decetralizuar që vepronte në mënyrë anonime dhe të koordinuar drejt një qëllimi kryesor, i cili ishte përgjithësisht argëtues.

Në vitin 2008, Anonymous mori vëmendje të jashtëzakonshme pas sulmit kibernetik ndaj Church of Scientology – grup korporatash dhe organizatash që përkufizohen si një kult ose lëvizje fetare. Asokohe, Anonymous sulmuan faqen e internetit të Church of Scientology.

Më vonë, objektivi i sulmeve të Anonymous u bënë agjencitë qeveritare të SHBA-së, Izraelit, Tunizisë, Ugandës, Shtetit Islamik, faqet e pornografisë për fëmijë, agjencitë që shkelnin të drejtat e autorit, kisha, korporata si PayPal, MasterCard dhe Visa.


Shtuar 1.03.2022 09:55