Sot Albano Bogdo, VIP-at që përfunduan në pranga të dehur apo pa patentë në timon (FOTO LAJM)

Aktori i humorit, Albano Bogdo është liruar nga burgu dy ditë pas arrestimit. Mësohet se Albano Bogdo u vu në pranga pasi u kap duke drejtuar makinën pa patentë. Gjykata ka vendosur ndaj aktorit masën e sigurisë detyrim paraqitje.Kujtojmë këtu se, disa ditë më parë qarkulloi një video kur aktori Bogdo shante policin se kishte bllokuar trafikun për kalimin e makinave qeveritare.

Albano Bogdo është “arrestuar” edhe njëherë tjetër, më saktë në vitin 2017, ku në mediat sociale u shpërndanë me shpejtësi disa foto të aktorit, duke dalë nga hyrja e pallatit të tij, i zbathur, teksa mbahej për krahu nga forcat e policisë.

Megjithatë, asokohe u mësua se gjithçka ishte pjesë e një skene filmi, ku si Albano, ashtu edhe policët që e shoqëronin, ishin pjesë e kastës së aktorëve.

Mirëpo arrestimi i dy ditëve më parë, mesa duket nuk ka qenë as shaka dhe as pjesë e ndonjë filmi, por i vërtetë, pasi aktori është konstatuar pa leje drejtimi gjatë ngarjes së makinës.

Por, kush janë VIP-at e tjerë, të cilët kanë përfunduar pas hekurave pasi kanë qenë të dehur ose pa leje drejtimi në timon?

Arrestohet avokati Genc Gjokutaj, i dehur në timon në mes të Tiranës, nuk i bindet policisë:

Në 17 dhjetor të vitit 2016, Policia e Shtetit njoftoi se ka vënë në pranga avokatin e njohur, Genc Gjokutaj. Avokati ka qenë me makinë në momentin që policia e ndaloi dhe e shoqëroi për në komisariat. Sipas Policisë, avokati drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe ka kundërshtuar urdhrin e policisë për të ndaluar, ndaj edhe e kanë vënë në pranga.

Ndalohet futbollisti i Flamurtarit, Franc Veliu, ishte i dehur në timon:

Në 25 tetor 2015, Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore njoftoi se në kuadër të masave kundër shkeljeve të rregullave rrugore ka ndaluar 46 drejtues automjetesh, midis të cilëve edhe futbollistin e Flamurtarit të Vlorës, Franc Veliu, i cili i jepte makinës në gjendje të dehur.

Pa patentë dhe nuk i ndaloi Policisë, arrestohet futbollisti i Flamurtarit, Mauricio Leal:

Në 2 qershor 2017, ish-futbollisti brazilian i Flamurtarit, Mauricio Leal është arrestuar nga Policia e Vlorës në Radhimë. Sipas bluve, mësohet se futbollisti drejtonte një automjet “Benz”, ndërsa ka qenë i shoqëruar edhe nga dy bashkëkombësit e tij, Lukas Kanixha dhe Nakamuta Lineker. Por në automjet ishin pesë vetë. Tre lojtarët e Flamurtarit kanë marrë në automjetin e tyre edhe dy studentë shqiptarë të rastësishëm, të cilët u kanë kërkuar të shkonin deri në Vlorë. E ndërsa po ktheheshin nga plazhi, në Radhimë, policia rrugore u ka kërkuar që të ndalonin, por Leal nuk i është bindur urdhrit të uniformave blu dhe është larguar me automjetin e tij. Policia është vënë në ndjekje të tyre, duke i ndaluar disa metra më poshtë. Pasi i ka ushtruar automjetit kontroll, policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e mjetit, futbollistin Leal, i cili nuk ka pasur as patentën me vete.

Pa patentë e me gjoba të papaguara, arrestohet këngëtari Noizy:

Në 18 dhjetor 2016, Rigers Rajku ose ndryshe Noizy, është arrestuar nga policia e qytetit të Durrësit. Sipas policisë, reperi 30 vjeçar, ka qenë duke ecur me makinë pa leje drejtimi. Gjatë një kontrolli uniformat blu i kanë kërkuar dokumentacionin e mjetit, ku rezultoi se nuk kishte leje drejtimi me vete dhe gjoba të papaguara. Efektivët e policisë i kanë dhënë urdhër që të shoqërohet në ambientet e komisariatit, (deri në momentin që ndonjë person të sillte lejen e tij të drejtimit dhe të paguante gjobat), por ai nuk i është bindur punonjësve të policisë dhe është larguar së bashku me mjetin. Menjëherë policët janë vënë në ndjekje të tij dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në polici. Noizy u ndoq i lirë për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Arrestohet Mandi i Nishtullës në Elbasan, drejtonte makinën në gjendje të dehur:

Në 3 shkurt 2014, këngëtari i muzikës tallava “Mandi i Nishtullës”, i njohur për këngën hit “Të ka lali shpirt” është ndaluar nga policia. Pëllumb Elmazi, emri i vërtetë i këngëtarit mësohet të jetë ndaluar nga forcat e policisë ndërkohë që drejtonte automjetin në gjendje të dehur në qytetin e Elbasanit. Këngëtari mësohet ti ketë rezistuar forcave të policisë dhe kjo ka çuar në ndalimin e tij duke e dërguar në komisariat. 23-vjeçari Pëllumb Elmazi ndodhej në qytetin e Elbasanit pasi zotëron me qera një lokal nate në të cilin këndonte live.

Drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe shkaktoi aksident, arrestohet Aleksandër Gjoka:

Në 22 maj 2021, Policia njoftoi se këngëtari i njohur, Aleksandër Gjoka është vënë sërish në pranga, pasi është konstatuar teksa drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Arrestimi i Gjokës është bërë në zonën e Farkës në Tiranë. Gjoka ka rezultuar i dehur në drejtimin e makinës. Veç kësaj ai ka pasur edhe probleme shëndetësore dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Kjo ishte hera e dytë që Aleksandër Gjoka ndalohet nga uniformat blu, për shkak të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur. Këngëtari u arrestua edhe më 23 dhjetor të vitit 2019 pasi edhe asokohe u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Po ngiste makinën në gjendje të dehur, arrestohet këngëtari i muzikës popullore, Bujar Çiçi:

Në 23 shtator 2021 këngëtari i njohur i muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme, Bujar Çiçi ka rënë në prangat e policisë. Ai është kapur duke drejtuar makinën në gjendje të dehur. “B.Ç., 53 vjeç, u kap nga specialistët e Qarkullimit Rrugor duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur”, njoftoi policia në lidhje me arrestimin e këngëtarit.

Arrestohet Alban Hoxha, portieri i Partizanit u kap në gjendje të dehur në timon:

Në 25 nëntor 2018, Alban Hoxha, portieri i ekipit të Partizanit është arrestuar nga Policia e Tiranës. Portieri i ekipit të Partizanit është kapur, teksa drejtonte mjetin e tij në gjendje të dehur dhe kishte kaluar masën 0.51 mg/l.

Çfarë thotë Neni 291 për drejtimin e automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi:

Arrestimi i këtyre personave bëhet duke u bazuar pikërisht në Nenin 291 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, sipas të cilit, drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara ne gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

“Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara ne gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”./ Gazeta Shqiptare/


Shtuar 23.02.2022 14:07