“Inceneratorët” çojnë Tabakun në SPAK, kë takoi shefja e Komisionit dhe çfarë u diskutua

Kryetarja e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve, Jorida Tabaku, është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në selinë e SPAK.

Tabaku zhvilloi një takim me kreun e SPAK Arben Kraja, ku diskutoi për një sërë çështjesh me rëndësi mbi aferën e Inceneratorëve.

Tabaku pas takimit me kreun e SPAK u shpreh se takimi është kërkuar nga vetë ajo dhe se mbështet plotësisht punën e Strukturës së Posaçme për vijimin e hetimeve.

“Ne do të bëjmë atë për të cilën parlamenti na ka mandatuar, për të sjellë këtu dokumentet zyrtare që janë pjesë e hetimit. Të tjera do duhet t’i luajë SPAK. Ju siguroj se deri më sot nuk ka asnjë mbivendosje të punës së komisionit hetimor, nuk ka asnjë cenim të punës sonë, përkundrazi po e mbështesim SPAK, duke bërë provat transparente. E sigurova SPAK se do të vendosim në dispozicion dokumentet. Takimi u kërkua nga unë”, tha Tabaku.

Tabaku thotë se do i shkojë deri në fund asaj që ajo e quan si aferën më të madhe të 30 viteve, aferës së Inceneratorëve. Sipas Tabakut dhe Partisë Demokratike, në këtë aferë janë të përfshirë krerët më të lartë të shtetit shqiptar./albeu.com/


Shtuar 21.02.2022 09:21